Rritja e çmimit të biletave të Trafikut Urban, Bajqinovci: Qytetarët kërkuan transport publik më cilësor, Rama iu përgjigj me bileta më të shtrenjta

Deputeti i zgjedhur i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka vendosur për rritje të çmimit të biletave të Trafikut Urban. Ai ka thënë se Përparim Rama ka gjetur zgjidhjen më të lehtë sipas tij për problemet e Trafikut Urban, duke mos shtuar autobusët apo linjat, duke mos zvogëluar pritjen në stacione…

Lajme

01/07/2026 13:42

Deputeti i zgjedhur i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka vendosur për rritje të çmimit të biletave të Trafikut Urban.

Ai ka thënë se Përparim Rama ka gjetur zgjidhjen më të lehtë sipas tij për problemet e Trafikut Urban, duke mos shtuar autobusët apo linjat, duke mos zvogëluar pritjen në stacione por duke rritur pagesën nga xhepi i qytetarit.

“Para se ta rrisë çmimin e biletës, do të duhej t’u tregonte qytetarëve me kë u konsultua për këtë vendim? Me udhëtarët që presin çdo ditë në stacione apo vetëm me kabinetin e tij? Flota e re ende nuk ka ardhur. Edhe kur të vijë, bëhet fjalë për vetëm 15 autobusë, ndërsa dhjetëra të tjerë vazhdojnë të operojnë si më parë. Pra, shërbimi nuk është përmirësuar, por çmimi po rritet. Edhe arsyetimet nuk qëndrojnë. Njëherë përmendet flota e re, pastaj rritja e çmimit të naftës. Ndërkohë vetë Komuna ka thënë se autobusët e rinj do të jenë elektrikë. Atëherë ku qëndron lidhja me naftën?”, ka shkruar ai.

Bajqinovci ka thënë se i paqëndrueshëm është edhe pretendimi se bileta me para të gatshme duhet të jetë më e shtrenjtë për shkak të digjitalizimit.

“Nuk mund të ketë dy çmime për të njëjtin shërbim. Digjitalizimi duhet ta lehtësojë jetën e qytetarëve, jo të përdoret si arsyetim për t’ua futur dorën më thellë në xhep. Qytetarët kërkuan transport publik më cilësor. Përgjigjja e Perparim Ramës ishte bileta më e shtrenjtë”, ka shtuar Bajqinovci. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: