“Do t’i mbështesim vendet që duan të anëtarësohen në BE”, Irlanda merr kryesimin e Presidencës së BE’së
Nga 1 korriku, Irlanda do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian deri në fund të vitit. Kjo është hera e tetë që Irlanda merr udhëheqjen e Presidencës së BE’së. Presidenca irlandeze u zotua se do të çojë përpara një agjendë ambicioze, të përqendruar në temat kryesore të konkurrueshmërisë, vlerave dhe sigurisë. Ceremonia do…
Bota
Nga 1 korriku, Irlanda do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian deri në fund të vitit. Kjo është hera e tetë që Irlanda merr udhëheqjen e Presidencës së BE’së.
Presidenca irlandeze u zotua se do të çojë përpara një agjendë ambicioze, të përqendruar në temat kryesore të konkurrueshmërisë, vlerave dhe sigurisë.
Ceremonia do të zhvillohet në Kështjellën e Dublinit, ku do të marrin pjesë disa nga drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian.
Ndërkaq, kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, në mesazhin e tij tha se po e marrin këtë përgjegjësi në një kohë vendimtare për BE-në, kur bota përballet me pasiguri dhe paparashikueshmëri më të madhe.
“Angazhohemi të kryejmë një punë të mirë për Bashkimin Europian dhe qytetarët e tij, duke punuar gjatë gjithë mandatit tonë për ta bërë Unionin më të begatë, më të sigurt dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta themelore”, tha ai.
Martin përmendi edhe vendet aspirante për t’iu bashkuar BE’së, duke thënë se do përkrahin ato në rrugën e tyre drejt këtij synimi.
“Ne do të mbështesim ato vende që dëshirojnë t’i bashkohen Bashkimit Europian në avancimin e rrugës së tyre drejt anëtarësimit, duke ndihmuar në sigurimin e një prosperiteti dhe stabiliteti më të madh në fqinjësinë tonë”.
Martin tha se prosperiteti ekonomik është ai që i mundëson Bashkimit Europian të arrijë objektivat e tij politike.
“Për të mbetur të begatë, duhet të përmirësojmë aftësinë tonë konkurruese, përfshirë edhe në skenën globale. Presidenti Costa me të drejtë e ka shpallur vitin 2026 si “Vitin Evropian të Konkurrueshmërisë”.
Siç thotë proverbi irlandez: “Ní neart go cur le chéile” – “Nuk ka forcë pa unitet|”, tha Martin.
“Duke punuar së bashku, ne mund të japim rezultate për 450 milionë njerëzit që e quajnë Bashkimin Europian shtëpinë e tyre”.