Bie numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në vend

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike për muajin maj 2026, i cili tregon se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ka shënuar rënie si në baza mujore, ashtu edhe në ato vjetore. Sipas ASK-së, gjatë muajit maj janë regjistruar gjithsej 1.108 ndërmarrje, që paraqet një rënie prej…

Lajme

01/07/2026 10:53

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike për muajin maj 2026, i cili tregon se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ka shënuar rënie si në baza mujore, ashtu edhe në ato vjetore.

Sipas ASK-së, gjatë muajit maj janë regjistruar gjithsej 1.108 ndërmarrje, që paraqet një rënie prej 1.4 për qind krahasuar me muajin prill, ndërsa në krahasim me majin e vitit 2025 numri i bizneseve të reja është më i ulët për 16.9 për qind.

Sektori më i preferuar për hapjen e bizneseve të reja vazhdon të jetë tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me 278 ndërmarrje ose 25.1 për qind të totalit. Pas tij renditen akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 126 ndërmarrje, ndërtimtaria me 119 dhe prodhimi me 105 ndërmarrje.

Raporti i ASK-së tregon gjithashtu se pothuajse të gjitha bizneset e regjistruara gjatë muajit maj i përkasin kategorisë së mikro-ndërmarrjeve.

Nga gjithsej 1.108 ndërmarrje të regjistruara, 1.101 janë mikro-ndërmarrje me deri në nëntë të punësuar, ndërsa vetëm shtatë janë ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 të punësuar. Gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Rajoni i Prishtinës vazhdon të dominojë me 523 ndërmarrje të regjistruara, i ndjekur nga Rajoni i Prizrenit me 130, Ferizaj me 110, Mitrovica me 100, Gjilani me 86, Gjakova me 83 dhe Peja me 76 ndërmarrje të reja.