PDK nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme, pret vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi për zhvillimet politike në vend, prioritetet organizative dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme. Gjatë mbledhjes u theksua se PDK-ja po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të zhvillohen në përputhje…
Lajme
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi për zhvillimet politike në vend, prioritetet organizative dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Gjatë mbledhjes u theksua se PDK-ja po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë dhe mbi parimet e demokracisë së brendshme, transparencës, garës së ndershme dhe respektimit të vullnetit të anëtarësisë.
Kryesia vlerësoi se ky proces zgjedhor përbën një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e strukturave, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një PDK-je më të fortë, më të bashkuar dhe më të përgatitur për sfidat politike dhe përgjegjësitë që e presin Kosovën.
Po ashtu, Kryesia diskutoi edhe për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur pritjen që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së.
Kryesia ritheksoi se, pavarësisht sfidave politike, PDK-ja ka ruajtur unitetin, organizimin dhe pozitën e saj si partia kryesore opozitare në vend, duke mbetur forca me numrin më të madh të deputetëve në opozitë.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar të respektojë vullnetin e anëtarësisë, të forcojë demokracinë e brendshme dhe të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më të sigurt dhe plotësisht të integruar në institucionet euroatlantike./Lajmi.net/