Balje reagon pas komenteve islamofobike për vrasjen e Hoxhës në Dragash: Asnjë krim nuk duhet të shërbejë si pretekst për islamofobi dhe urrejtje kombëtare

Deputetja e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës nga SDU, Duda Balje ka reaguar ndaj komenteve islamofobike që kanë ardhur pas vrasjes së hoxhës në fshatin Zhipotok të Dragashit. Ajo ka thënë se e ka prejardhjen nga ky fshat dhe se ndien obligim moral që ta dënon qartë dhe me zë të…

Lajme

30/06/2026 18:27

Deputetja e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës nga SDU, Duda Balje ka reaguar ndaj komenteve islamofobike që kanë ardhur pas vrasjes së hoxhës në fshatin Zhipotok të Dragashit.

Ajo ka thënë se e ka prejardhjen nga ky fshat dhe se ndien obligim moral që ta dënon qartë dhe me zë të lartë çdo përpjekje për përhapje të urrejtjes, qoftë mbi baza fetare apo kombëtare.

“Asnjë krim nuk duhet të bëhet shkak për përhapjen e islamofobisë, urrejtjes ndaj boshnjakëve, shqiptarëve, serbëve apo ndaj cilitdo popull dhe feje. Edhe më e rëndë është kur njerëzit përdorin vdekjen e dikujt për të përhapur helm në rrjetet sociale, për të fyer fenë, për të poshtëruar familjen e viktimës dhe për të nxitur përçarje. Vrasja është tragjedi. Jeta e njeriut është e shenjtë. Ata që sot gëzohen për vdekjen e dikujt ose e përdorin këtë tragjedi për të përhapur urrejtje, tregojnë vetëm mungesë njerëzie, morali dhe dhembshurie”, ka shkruar Balje.

Ajo i ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë dinjitet respekt dhe përgjegjësi, ndërsa ka kërkuar që të mos lejohet që urrejtja të na shndërrojë në një shoqëri pa empati dhe pa kufij në gjuhën e urrejtjes.

“Kërkojmë drejtësi për viktimën, por edhe përgjegjësi për secilin që me fjalët e tij nxit urrejtje fetare dhe kombëtare. Heshtja përballë urrejtjes do të thotë bashkëfajësi. Allahu e shpërbleftë të ndjerin me Xhenet, ndërsa familjes së tij i dhëntë sabër dhe forcë”, ka shkruar Balje.

Ajo ka thënë se duhet t’iu vije turp të gjithëve që kanë shkruar komente të tilla.

“Me përhapjen e urrejtjes, islamofobisë dhe përçarjeve kombëtare nuk tregoni forcë, por mungesë të thellë njerëzie dhe respekti ndaj tragjedisë së dikujt tjetër. Mbajeni mend — radikalizmi lind radikalizëm. Urrejtja kurrë nuk ka sjellë paqe dhe as nuk do ta sjellë. Fenë islame nuk do ta prekni me komente të tilla, e aq më pak do ta ulni dinjitetin e shqiptarëve dhe boshnjakëve të besimit islam. Përkundrazi, vetëm po tregoni sa e rrezikshme bëhet kur njerëzit humbin kufirin mes lirisë së fjalës dhe gjuhës së urrejtjes. Në momentin kur një njeri ka humbur jetën, minimumi që pritet është njerëzia, dinjiteti dhe heshtja para dhimbjes së familjes së tij. Çdo gjë tjetër është turp”, ka shtuar Balje. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë: