Në Drenas zbulohet murali “Çast” në nderim të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës
Në objektin e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas është zbuluar murali “Çast”, një vepër artistike e realizuar me iniciativën e Fondacionit Jahjaga, në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, kushtuar të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë kryetari…
Lajme
Në objektin e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas është zbuluar murali “Çast”, një vepër artistike e realizuar me iniciativën e Fondacionit Jahjaga, në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, kushtuar të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përfaqësues të Fondacionit Jahjaga, udhëheqësja e QPDG-së, Kadire Tahiraj, si dhe përfaqësues institucionalë, aktivistë dhe qytetarë.
Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, murali “Çast” synon të përcjellë një mesazh të kujtesës, respektit dhe solidaritetit ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Murali ‘Çast’ përcjell një mesazh të fuqishëm kujtese, respekti dhe solidariteti. Përmes kësaj vepre artistike nderohen dinjiteti, qëndresa dhe forca e të mbijetuarve, duke riafirmuar përkushtimin institucional dhe shoqëror për drejtësi, mbështetje dhe mosharresë”, thuhet në njoftim.
Komuna e Drenasit ka vlerësuar se kjo vepër artistike shërben si simbol i kujtesës kolektive dhe si një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror, veçanërisht për brezat e rinj.
“Kjo vepër artistike shërben si simbol i kujtesës së përhershme dhe si thirrje për ndërgjegjësim, duke përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”, theksohet më tej.
Sipas komunës, përmes muralit “Çast”, Drenasi i bashkohet përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e kujtesës dhe nderimin e të gjithë atyre që i mbijetuan dhunës gjatë luftës në Kosovë.
“Përmes muralit ‘Çast’, Drenasi u bashkohet përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe për të nderuar të gjithë ata që, me guxim dhe dinjitet, i mbijetuan njërës prej plagëve më të rënda të luftës”, thuhet në njoftim.