Dorëheqja e gazetares Sejda nga RTK, AGK: Kjo ndodh si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë ata që respektojnë parimet etike

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi gazetarja Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga puna në RTK, sipas saj për shkak të pamundësisë për të ushtruar profesionin në përputhje me bindjes e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ka thënë se ndjen ndaj publikut. AGK përmes një reagimi publikuar në rrjetin social Facebook,…

Lajme

30/06/2026 16:10

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi gazetarja Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga puna në RTK, sipas saj për shkak të pamundësisë për të ushtruar profesionin në përputhje me bindjes e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ka thënë se ndjen ndaj publikut.

AGK përmes një reagimi publikuar në rrjetin social Facebook, ka shprehur keqardhje për largimin e Sejdës nga RTK dhe ka thënë se e sheh këtë akt si konfirmim të kapjes së këtij institucioni nga menaxhmenti i lidhur drejtpërdrejt me Qeverinë dhe partinë politike në pushtet, Vetëvendosje.

“Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit.  RTK-ja është shndërruar tash e një kohë në makinë propaganduese të Vetëvendosjes nëpërmjet politikave redaktuese që censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit. Rënia e lirisë së medias në Kosovë, siç dokumentohet edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria e zotit Kurti”, thuhet në reagim të AGK-së.

AGK ka thënë se qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe të gjithë gazetarët e redaktorët e Transmetuesit Publik që vazhdojnë rezistencën brenda RTK-së.

“AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës dhe Vetëvendosjen që ta ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së. AGK-ja gjithashtu e fton Bordin e RTK-së që të mos qëndrojë indiferent dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti, duke u përkujdesur që të mos ketë përndjekje ndaj gazetarëve dhe që raportimi të kthehet në shërbim të interesit publik, e jo të një partie politike”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: