KEK nis reforma për mbrojtjen e pronave, identifikon raste të uzurpimit edhe në komuna të tjera
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e unifikimit të evidencave të pronave të saj dhe ka nisur një proces të gjerë reformash, me fokus në identifikimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronave të Korporatës. Sipas një komunikate të KEK-ut, përveç komunave të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku Korporata…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e unifikimit të evidencave të pronave të saj dhe ka nisur një proces të gjerë reformash, me fokus në identifikimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronave të Korporatës.
Sipas një komunikate të KEK-ut, përveç komunave të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku Korporata zhvillon aktivitetet e saj operative, janë identifikuar prona të saj edhe në komuna të tjera të Kosovës, përfshirë Podujevën dhe Brezovicën.
Për këtë qëllim, KEK ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet përkatëse dhe është duke zhvilluar takime me drejtuesit e komunave dhe autoritetet kompetente për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen e pronës publike dhe rikthimin e pronave në administrim të rregullt institucional.
Në komunikatë, KEK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që mund të shfrytëzojnë prona të Korporatës pa bazë ligjore që t’i lirojnë ato vullnetarisht sa më parë.
Sipas KEK-ut, ky proces po zhvillohet paralelisht me programin më të madh investiv në historinë e Korporatës, i cili përfshin modernizimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadave, si dhe zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme.
Korporata thekson se këto reforma synojnë mbrojtjen e aseteve publike, forcimin e menaxhimit institucional dhe përmirësimin e administrimit të pronave të saj. /Lajmi.net/