BSPK pas vdekjes së policit në Morinë: Nuk mjaftojnë ngushëllimet, shteti duhet t’i mbrojë zyrtarët policorë
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Pikën Kufitare në Morinë, duke kërkuar masa konkrete për rritjen e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në një komunikatë, BSPK i ka…
Lajme
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar pas vdekjes së zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Pikën Kufitare në Morinë, duke kërkuar masa konkrete për rritjen e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë, BSPK i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ndërsa ka theksuar se tragjedia duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse, transmeton lajmi.net.
Sindikata ka shprehur mbështetje për kërkesat e vazhdueshme të Sindikatës së Policisë së Kosovës, duke vlerësuar se zyrtarët policorë vazhdojnë të punojnë pa mbrojtje të mjaftueshme ligjore, institucionale dhe sociale.
“Është e papranueshme që ata që çdo ditë mbrojnë rendin kushtetues, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve të mbeten pa mekanizma të mjaftueshëm mbrojtës për jetën, për shëndetin dhe për sigurinë e tyre në vendin e punës. Çdo humbje e jetës në krye të detyrës duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Sipas këtij organizimi sindikal, reagimet pas ngjarjeve tragjike nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me ndryshime konkrete në legjislacion dhe në trajtimin e punonjësve të Policisë.
“Nuk mjaftojnë deklaratat e dhimbjes pas tragjedive. Përgjegjësia shtetërore fillon shumë më herët dhe duhet të nisë me krijimin e një infrastrukture ligjore dhe institucionale që garanton kushte të sigurta pune, mbrojtje juridike efektive për zyrtarët policorë, trajtim të veçantë të rrezikut profesional dhe përkujdesje të dinjitetshme për familjet e tyre në rastet kur ata plagosen ose bien në krye të detyrës”, theksohet në komunikatë.
BSPK rikujton se siguria në vendin e punës është një e drejtë themelore për çdo punëtor, por vlerëson se për pjesëtarët e Policisë kjo e drejtë merr rëndësi edhe më të madhe për shkak të rrezikut të vazhdueshëm me të cilin përballen.
“Një shtet që kërkon përkushtim maksimal nga policët e tij ka detyrim të garantojë mbrojtjen maksimale për ta”, thuhet më tej.
Në fund, BSPK u ka bërë thirrje institucioneve që, përveç zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit në Morinë, të ndërmarrin pa vonesë hapa konkretë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe të garantojnë siguri më të madhe në vendin e punës, mbështetje shëndetësore e sociale për zyrtarët policorë, si dhe trajtim dinjitoz për familjet e tyre në rastet kur ata humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
“BSPK do të qëndrojë përkrah Sindikatës së Policisë së Kosovës në çdo nismë që synon mbrojtjen e të drejtave, të dinjitetit dhe të sigurisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mbrojtja e policit nuk është privilegj, ajo është detyrim i shtetit. Vetëm polici i mbrojtur mund ta mbrojë me dinjitet qytetarin, ligjin dhe vetë shtetin”, përfundon reagimi./lajmi.net/