Pas një dekade në RTK, gazetarja Arlinda Sejda jep dorëheqje: Nuk mund ta ushtroj profesionin në përputhje me bindjet e mia

Gazetarja Arlinda Sejda ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), pas dhjetë vitesh pune në transmetuesin publik. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku tha se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet bazë të profesionit të gazetarit. “Pas një dekade…

Lajme

30/06/2026 13:13

Gazetarja Arlinda Sejda ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), pas dhjetë vitesh pune në transmetuesin publik.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku tha se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet bazë të profesionit të gazetarit.

“Pas një dekade pune, sot jam detyruar të largohem nga RTK, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme. Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit”, ka shkruar Sejda.

Ajo ka theksuar se dorëheqja vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e saj profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë ndaj publikut.

Sipas saj, gjatë gjithë karrierës ka besuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik, parime që, siç është shprehur, e kanë udhëhequr në çdo vendim profesional.

“Dorëheqja ime është një akt personal dhe profesional, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin tim dhe për të qenë në përputhje me ndërgjegjen time profesionale”, ka shtuar ajo.

Në fund të reagimit, Sejda ka falënderuar kolegët me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite dhe qytetarët që i kanë besuar, duke theksuar se besimi i saj në gazetarinë e lirë, profesionale dhe të bazuar në fakte mbetet i palëkundur. /Lajmi.net/