Haxhiu takon drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në KE, kërkon avancimin e Kosovës drejt statusit kandidat në BE

U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Valentina Supertin, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë. Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës, duke thënë se vendi e ka kthyer këtë…

Lajme

30/06/2026 12:19

U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Valentina Supertin, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës, duke thënë se vendi e ka kthyer këtë përkrahje në forcim të institucioneve demokratike, reforma dhe orientim të qartë evropian.

Gjatë takimit, Haxhiu ka theksuar se Kosova ka mbajtur një kurs të qartë në reformat evropiane, është e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe po zbaton obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.

Ajo ka kërkuar që progresi i Kosovës të marrë një përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

Në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit të barabartë rajonal, ku sipas Haxhiut, Kosova duhet të ketë mundësi të barabarta për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët. /Lajmi.net/