Ndalohet për 48 orë i dyshuari për vrasjen e imamit në Dragash- për “mosdhënie të ndihmës” policia ndalon edhe babin e të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Prizren është deklaruar në lidhje me vrasjen që ndodhi në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit. Prokuroria e cilësoi rastin si “vrasje e rëndë”, derisa u tha se bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren është deklaruar në lidhje me vrasjen që ndodhi në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit.
Prokuroria e cilësoi rastin si “vrasje e rëndë”, derisa u tha se bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit.
Viktima (Gazmen Tairovci), i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes.
“Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.”
Gjithashtu u theksua se i dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.
“Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.”
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve./Lajmi.net/