Fëmija i lënduar ditë më parë nga zjarri në Prishtinë në gjendje stabile, pritet ndërhyrje kirurgjikale

Fëmija i lënduar në zjarrin që kishte përfshirë një banesë në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë më 27 qershor, po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK dhe ndodhet në gjendje stabile. Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka bërë të ditur për lajmi.net se pacienti, i identifikuar me inicialet R. Xh. (i lindur në…

Lajme

30/06/2026 10:34

Fëmija i lënduar në zjarrin që kishte përfshirë një banesë në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë më 27 qershor, po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK dhe ndodhet në gjendje stabile.

Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka bërë të ditur për lajmi.net se pacienti, i identifikuar me inicialet R. Xh. (i lindur në vitin 2021), është pranuar me djegie në disa pjesë të trupit dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

“Ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, aktualisht fëmija me inicialet R. Xh. (i lindur në vitin 2021), i pranuar të shtunën me djegie në regjionin e kokës, fytyrës, ekstremitetit të sipërm të djathtë dhe në të dy gjunjët, është duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Gjendja e përgjithshme e pacientit është stabile, me parametra vitalë brenda kufijve normalë. Ecuria klinike është nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipi mjekësor. Për shkak të natyrës së lëndimeve, pritet që në ditët në vijim pacienti t’u nënshtrohet intervenimeve kirurgjikale rekonstruktive, sipas vlerësimit të ekipit specialist.”, tha ajo.

Ngjarja kishte ndodhur më 27 qershor, kur një banesë në rrugën “Isa Kastrati”, në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë, u përfshi nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes kishin intervenuar ekipet e zjarrfikësve, policia dhe ekipet mjekësore, të cilat kishin lokalizuar zjarrin. Si pasojë e incidentit, dy qytetarë – përfshirë një fëmijë – kishin mbetur të lënduar, ndërsa gjatë ndërhyrjes ishin lënduar edhe pesë zjarrfikës./lajmi.net/