Auditimi zbulon shkelje milionëshe në MKRS: Kontrata pa garanci, subvencione pa arsyetim dhe pasuri të raportuara gabimisht
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish financiare dhe procedurale në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), duke konstatuar se pasqyrat financiare për vitin 2025 nuk e paraqesin në mënyrë të plotë dhe të saktë gjendjen reale të ministrisë. Në raportin e auditimit, ZKA i ka dhënë ministrisë opinion…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë në pah një sërë parregullsish financiare dhe procedurale në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), duke konstatuar se pasqyrat financiare për vitin 2025 nuk e paraqesin në mënyrë të plotë dhe të saktë gjendjen reale të ministrisë.
Në raportin e auditimit, ZKA i ka dhënë ministrisë opinion të kualifikuar, pasi auditorët kanë identifikuar mangësi të konsiderueshme në raportimin e pasurisë, obligimeve dhe detyrimeve kontingjente, ndërsa kanë evidentuar edhe një sërë shkeljesh në menaxhimin e kontratave publike, subvencioneve dhe investimeve kapitale, shkruan lajmi.net.


Sipas auditorëve, pasqyrat financiare janë ndikuar nga tri çështje kryesore.
Pasuritë kapitale rezultojnë të jenë mbivlerësuar për 3 milionë e 130 mijë e 548 euro, ndërsa pasuritë jokapitale janë nënvlerësuar për 1 milion e 193 mijë e 168 euro, për shkak të mosregjistrimit të plotë të pasurive dhe mosbartjes së projekteve të përfunduara tek institucionet përfituese. Po ashtu, regjistri i obligimeve është mbivlerësuar për 1 milion e 19 mijë e 223 euro, ndërsa detyrimet kontingjente janë nënvlerësuar për 718 mijë e 181 euro.




Pasuri milionëshe vazhdojnë të figurojnë në emër të ministrisë edhe pse projektet kanë përfunduar
Një prej gjetjeve më serioze lidhet me menaxhimin e pasurisë shtetërore.
Auditorët kanë konstatuar se MKRS vazhdon të mbajë në regjistrat e saj pasuri kapitale në vlerë prej 2 milionë e 664 mijë e 923 euro, ndonëse projektet kanë përfunduar dhe janë pranuar teknikisht prej vitesh. Këto investime nuk janë transferuar tek institucionet përfituese, siç kërkohet me procedurat ligjore, duke bërë që regjistrat financiarë të mos përputhen me gjendjen reale në terren.
Në raport përmendet se në regjistrat e ministrisë vazhdojnë të figurojnë projekte të përfunduara që nga viti 2014, të cilat ende evidentohen si investime në vijim, edhe pse duhej të ishin bartur tek përfituesit përfundimtarë.
Auditorët kanë gjetur gjithashtu se dy pagesa janë regjistruar gabimisht si pasuri kapitale. Njëra kishte të bënte me rekuzita kulturore në vlerë prej 457 mijë e 25 euro, ndërsa tjetra ishte një pagesë prej 8 mijë e 600 euro, e cila sipas auditorëve nuk përbënte investim kapital.
Ndërkohë, pasuritë me vlerë nën 1 mijë euro nuk janë raportuar në mënyrë të plotë, pasi nuk janë përfshirë të gjitha njësitë vartëse të ministrisë. Vetëm tri institucione rezultojnë me pasuri të paregjistruara në vlerë mbi 1.19 milion euro, përkatësisht Arkivi Shtetëror i Kosovës me 741 mijë e 606 euro, Biblioteka Kombëtare me 434 mijë e 99 euro dhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale me 17 mijë e 463 euro.
Sipas ZKA-së, mungesa e koordinimit ndërmjet njësive vartëse dhe zyrës financiare ka ndikuar që gjendja reale e pasurisë të mos paraqitet saktë në pasqyrat financiare, duke dobësuar menaxhimin dhe kontrollin e pronës publike.

Obligimet u raportuan mbi një milion euro më shumë
Raporti evidenton gjithashtu probleme serioze në regjistrimin e obligimeve financiare.
Auditorët kanë konstatuar se regjistri i obligimeve është mbivlerësuar për 1 milion e 19 mijë e 223 euro, pasi në pasqyrat financiare janë përfshirë tri fatura në vlerë prej 1 milion e 11 mijë e 222 euro, megjithëse ato i përkisnin vitit 2026 dhe jo vitit raportues 2025.
Po ashtu, është identifikuar edhe një obligim prej 8 mijë euro, i regjistruar pa kontratë dhe pa vendim formal për ndarjen e subvencionit, duke u bazuar vetëm në evidencat e departamentit përkatës.
Sipas auditorëve, këto mangësi kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të pamjaftueshme në procesin e pranimit dhe protokollimit të faturave, duke ndikuar drejtpërdrejt në saktësinë e raportimit financiar.
Mbi 718 mijë euro detyrime kontingjente nuk u raportuan
Një tjetër mangësi e evidentuar nga ZKA lidhet me raportimin e detyrimeve kontingjente.
Sipas raportit, këto detyrime janë nënvlerësuar për 718 mijë e 181 euro, pasi ministria nuk kishte përfshirë të gjitha rastet në regjistrat financiarë.
Auditorët konstatuan se mungonin detyrime në vlerë prej 730 mijë e 322 euro, të lidhura me procese gjyqësore dhe kompensime të ndryshme, ndërsa në anën tjetër ishte përfshirë gabimisht një vendim në vlerë prej 12 mijë e 151 euro, duke ndikuar në paraqitjen jo të saktë të detyrimeve potenciale të institucionit.
Një nga gjetjet më serioze të Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhet me dy projektet më të mëdha infrastrukturore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Auditorët konstatuan se ministria kishte nënshkruar kontratën për projektin “Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilan” në vlerë prej 12 milionë e 783 mijë e 110 euro, si dhe kontratën për “Stadiumin e Qytetit në Suharekë” në vlerë prej 10 milionë e 971 mijë e 578 euro, pa verifikuar paraprakisht vlefshmërinë e sigurimeve të ekzekutimit dhe garancive bankare. Në total, bëhet fjalë për kontrata në vlerë prej mbi 23.7 milionë euro.
Sipas raportit, pas kërkesës së auditorëve për verifikim pranë kompanive të sigurimeve, rezultoi se sigurimet e dorëzuara fillimisht nuk ekzistonin ose nuk ishin të vlefshme në kohën kur kontratat ishin nënshkruar. Vetëm gjatë vitit 2026 operatorët ekonomikë dorëzuan dokumente të tjera të vlefshme.
ZKA vlerëson se mungesa e kontrollit para nënshkrimit të kontratave ka ekspozuar ministrinë ndaj rrezikut që, në rast të mosrealizimit të obligimeve nga operatorët ekonomikë, institucioni të mos kishte mbrojtjen e nevojshme financiare.

Mbi 1.8 milion euro subvencione pa arsyetim të shpenzimeve
Po ashtu raporti evidenton mangësi të konsiderueshme në monitorimin e subvencioneve të ndara nga ministria.
Në 11 raste, në vlerë totale prej 1 milion e 814 mijë e 747 euro, përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar raportet për arsyetimin e shpenzimeve brenda afateve të përcaktuara në marrëveshjet e nënshkruara me ministrinë. Për pasojë, avancet vazhdonin të figuronin të hapura edhe pas përfundimit të vitit fiskal.
Auditorët konstatojnë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i mungesës së një sistemi efektiv monitorimi të projekteve të subvencionuara dhe mungesës së mekanizmave që do të garantonin raportimin në kohë të shpenzimeve nga përfituesit.
Sipas ZKA-së, mosdorëzimi i raporteve e bën të pamundur vlerësimin nëse fondet publike janë përdorur për qëllimet për të cilat janë ndarë dhe rrit rrezikun e keqpërdorimit të mjeteve buxhetore.

Federatat sportive u financuan pa thirrje publike
Një tjetër gjetje lidhet me financimin e federatave sportive.
Auditorët kanë konstatuar se në pesë raste, në vlerë totale prej 1 milion e 721 mijë e 42 euro, MKRS kishte financuar federata sportive për organizimin e aktiviteteve shtesë duke anashkaluar procedurën e thirrjes publike, ndonëse kjo kërkohet me rregulloren në fuqi.
Sipas raportit, financimet janë miratuar mbi bazën e kërkesave individuale të federatave dhe jo përmes procedurës konkurruese të paraparë me rregullore.
Rastet e evidentuara përfshijnë:
- Kampionatin Evropian U16 Kosovë–Shqipëri për Federatën e Volejbollit në vlerë 231 mijë e 530 euro;
- Kampionatin Evropian CS2 dhe Dota2 për Federatën e Esports Kosovës në vlerë 1 milion e 53 mijë euro;
- Kampionatin Evropian të Femrave U17 për Federatën e Hendbollit në vlerë 150 mijë e 120 euro;
- FIBA U16 EuroBasket 2025 dhe FIBA Europe U14 për Federatën e Basketbollit në vlerë 161 mijë e 886 euro;
- WTT Youth Contender Prishtina dhe WTT Feeder Prishtina 2025 për Federatën e Pingpongut në vlerë 124 mijë e 506 euro.
Sipas auditorëve, anashkalimi i thirrjes publike cenon transparencën, konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të organizatave sportive që mund të aplikojnë për mbështetje financiare.

Paradhënie mbi 1.2 milion euro në kundërshtim me kërkesat ligjore
Në përmbledhjen e raportit, ZKA evidenton gjithashtu se në pesë raste, ministria kishte dhënë paradhënie për kontrata të investimeve kapitale në vlerë prej 1 milion e 296 mijë e 464 euro, në kundërshtim me kufizimet dhe kërkesat ligjore në fuqi.
Raporti thekson se respektimi i procedurave për pagesat paraprake është i domosdoshëm për mbrojtjen e fondeve publike dhe shmangien e rreziqeve financiare gjatë realizimit të kontratave.
Pagesa me vonesa deri në 480 ditë
Auditimi ka evidentuar edhe probleme në ekzekutimin e pagesave.
Në 15 raste, ministria kishte vonuar pagesën e faturave në vlerë totale prej 998 mijë e 410 euro.
Sipas raportit, pagesat nuk janë kryer brenda afateve ligjore, ndërsa vonesat kanë varuar nga 20 deri në 480 ditë kalendarike, duke treguar mosrespektim të rregullave financiare në fuqi.
Në raport përmendet gjithashtu se në dy raste subvencionet janë ndarë jashtë afatit dhe në kundërshtim me rregulloret, ndërsa në kontrata kornizë janë tejkaluar vlerat maksimale të lejuara, duke tejkaluar kufirin e kontratës për 87 mijë e 520 euro ose rreth 11 për qind.
Në përfundim, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 24 rekomandime për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prej tyre, 13 janë rekomandime të reja, 10 janë të përsëritura nga vitet paraprake, ndërsa një është pjesërisht i përsëritur, duke kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e menaxhimit financiar, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe respektimin e procedurave ligjore në administrimin e fondeve publike. /Lajmi.net/