Ra në një bunar gjatë pastrimit, humb jetën një person në Dobërçan të Gjilanit
Një person ka humbur jetën pasdite në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi dyshohet se ka rënë në një bunar derisa ishte duke e pastruar. Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani. Sipas Hashanit, Policia ka pranuar njoftimin rreth orës 14:23 dhe njësitet patrulluese kanë…
Lajme
Një person ka humbur jetën pasdite në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi dyshohet se ka rënë në një bunar derisa ishte duke e pastruar.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas Hashanit, Policia ka pranuar njoftimin rreth orës 14:23 dhe njësitet patrulluese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Më datën 29.06.2026, rreth orës 14:23, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një thirrje lidhur me një rast në fshatin Dobërçan. Njësitet patrulluese i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një bunar derisa ishte duke e pastruar atë”, deklaroi Hashani.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë bërë zbrazjen e bunarit për të mundësuar nxjerrjen e viktimës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë bërë zbrazjen e bunarit. Pas kësaj është tërhequr trupi i viktimës, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima është i lindur në vitin 1951”, tha Hashani.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe njësitë e forenzikës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Lajmi.net/