LDK vlerëson rritjen e mbështetjes në zgjedhjet e fundit dhe rikonfirmon unitetin e brendshëm, zgjedhjet e reja të partisë do të mbahen në vitin 2027

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur sot mbledhjen e Kolegjiumit të Degëve në selinë qendrore të partisë, ku janë shqyrtuar zhvillimet politike në vend, rezultati zgjedhor, gjendja institucionale dhe angazhimi i partisë në periudhën paszgjedhore. Në përfundim të diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve ka vlerësuar angazhimin e strukturave të LDK-së në zgjedhjet e fundit, duke…

Lajme

29/06/2026 18:38

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur sot mbledhjen e Kolegjiumit të Degëve në selinë qendrore të partisë, ku janë shqyrtuar zhvillimet politike në vend, rezultati zgjedhor, gjendja institucionale dhe angazhimi i partisë në periudhën paszgjedhore.

Në përfundim të diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve ka vlerësuar angazhimin e strukturave të LDK-së në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se partia ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Në deklaratë theksohet se kërkohet një analizë e plotë e rezultatit zgjedhor, me qëllim nxjerrjen e mësimeve dhe përmirësimin e organizimit dhe veprimit politik në të ardhmen.

Po ashtu, LDK ka rikonfirmuar mbështetjen për kryetarin dhe Kryesinë e partisë në ushtrimin e përgjegjësive politike dhe statutore, si dhe në angazhimin për stabilitet institucional në Republika e Kosovës.

Sipas deklaratës, partia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, respektimin e rendit kushtetues dhe ofrimin e zgjidhjeve në interes të qytetarëve dhe shtetit.

LDK ka theksuar gjithashtu se çështjet e brendshme organizative rregullohen sipas Statutit të partisë dhe vendimeve të organeve legjitime, ndërsa zgjedhjet e rregullta për strukturat drejtuese do të mbahen gjatë vitit 2027.

Në fund, Kolegjiumi ka bërë thirrje për unitet dhe fokus të shtuar të të gjitha strukturave në forcimin e partisë dhe përmbushjen e përgjegjësive ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/