Haziri mohon takimet me Kurtin: S’kemi pasur as ftesë e as nuk i kemi ofruar takim askujt

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka mohuar se ka pasur ndonjë takim apo komunikim me liderin e Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve. Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve, Haziri tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë…

Lajme

29/06/2026 18:32

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka mohuar se ka pasur ndonjë takim apo komunikim me liderin e Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve, Haziri tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë ftesë për takim nga Vetëvendosje, por as LDK nuk ka iniciuar një të tillë.

“Më lejoni ta konfirmoj edhe njëherë. As nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona lidhur me peshën që na e kanë dhënë qytetarët. Takime nuk ka pasur deri në momentin që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë”, deklaroi Haziri.

Ai foli edhe për diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e LDK-së, duke bërë të ditur se partia ka nisur analizën e rezultatit zgjedhor dhe procesit paszgjedhor.

Sipas Hazirit, në takim janë shqyrtuar vlerësimet e para që dalin nga zgjedhjet, si dhe janë analizuar rezultatet dhe pesha politike që qytetarët i kanë dhënë LDK-së.

“Debati i brendshëm i LDK-së në situata paszgjedhore ka filluar sot. Natyrisht që disa degë dhe kolegë tanë kanë bërë veprime paszgjedhore që kanë shkaktuar edhe procese. Sot, në kolegjiumin e degëve, diskutuam çështjet, analizuam numrat dhe vlerësimet e para që dalin nga rezultati zgjedhor. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike. Ne jemi në një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Besojmë që do ta mbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, u shpreh Haziri. /Lajmi.net/