​Ekspozita “Shards of the Heart” sjell në Prishtinë rrëfime për migrimin, përkatësinë dhe integrimin

Ekspozita fotografike “Shards of the Heart” është hapur në “Europe House” në Prishtinë, duke sjellë rrëfime personale për migrimin, integrimin dhe ndjenjën e përkatësisë përmes historive të njerëzve që kanë rindërtuar jetën e tyre në Kosovë. E realizuar nga fotografja ukrainase Tamila Lissner, ekspozita trajton migrimin, kujtesën dhe kuptimin e shtëpisë përmes portreteve dhe dëshmive…

Lajme

29/06/2026 17:56

Ekspozita fotografike “Shards of the Heart” është hapur në “Europe House” në Prishtinë, duke sjellë rrëfime personale për migrimin, integrimin dhe ndjenjën e përkatësisë përmes historive të njerëzve që kanë rindërtuar jetën e tyre në Kosovë.

E realizuar nga fotografja ukrainase Tamila Lissner, ekspozita trajton migrimin, kujtesën dhe kuptimin e shtëpisë përmes portreteve dhe dëshmive personale, duke ftuar vizitorët të reflektojnë mbi qëndrueshmërinë dhe përvojat e njerëzve që janë detyruar të nisin një jetë të re larg vendlindjes.

Në hapjen e ekspozitës, Lissner, e cila jeton në Kosovë prej tre vitesh, tha se ideja lindi nga përvoja e saj personale si migrante dhe dëshira për të krijuar një hapësirë ku njerëzit të ndajnë historitë e tyre.

“Migrimi nuk është thjesht lëvizje nga një vend në tjetrin. Është një jetë e ndarë në ‘para’ dhe ‘pas’,” u shpreh ajo, duke shtuar se fotografia e ka ndihmuar të njohë më mirë Kosovën dhe njerëzit e saj.

Një nga rrëfimet e ekspozitës është ai i Maysoon nga Siria, e cila kujton vështirësitë e ditëve të para në Kosovë.

“Në fillim ndjeja shumë stres dhe pasiguri, sepse gjithçka ishte e re për mua, vendi, gjuha dhe mënyra e jetesës. Më mungonte shumë shtëpia dhe familja ime,” rrëfen ajo.

Edhe Valentina nga Moldavia, e cila jeton në Kosovë prej tre vitesh, tha se mësimi i gjuhës shqipe dhe komunikimi i përditshëm me qytetarët e kanë ndihmuar të integrohet.

“Përshtatja nuk ishte e lehtë. Kurset e gjuhës dhe bisedat e përditshme me shqiptarët më ndihmuan. Edhe puna ime me njerëzit më ndihmoi ta kuptoj kulturën. Tani kuptoj rreth 60 për qind të gjuhës shqipe,” tha ajo.

Ndërsa Rami nga Siria theksoi rëndësinë e mbështetjes që ka marrë nga organizatat që punojnë me refugjatët.

“Gjatë procesit të përshtatjes, ishte JRS që më ndihmoi, sepse krijuan një komunitet të vogël dhe të ngrohtë, një ndjenjë familjeje, dhe fillova të ndihem si në familjen time,” u shpreh ai.

Drejtoresha e Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo, Orjana Shabani, tha se projekte të tilla krijojnë hapësira ku njerëzit mund të ndajnë përvojat e tyre në mënyrë dinjitoze.

“Përmes fotografisë dhe rrëfimit, ky projekt sjell histori të migrimit, përkatësisë dhe përshtatjes dhe na kujton se çdo rrugëtim është unik, por njëkohësisht thellësisht njerëzor,” deklaroi Shabani.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, e cila theksoi se Kosova, si një shoqëri që ka përjetuar migrim dhe zhvendosje, i kupton këto përvoja dhe mirëpret njerëzit që kanë gjetur në vend një shtëpi të dytë.

Ekspozita është organizuar nga HeartHome International Community, Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo dhe Ukrainian Kosovo Association “Bridges of Friendship”, ndërsa do të qëndrojë e hapur në Europe House deri më 7 korrik 2026, çdo ditë nga ora 09:00 deri në 18:00.