Raporti i Auditimit për MPB-në: Mbi 10 milionë euro të keqklasifikuara, pagesa për policë të suspenduar dhe mangësi në prokurim
Zyra Kombëtare e Auditimi (ZKA), ka evidentuar një sërë parregullsish serioze në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ku përfshihen keqklasifikimi i mbi 10 milionë eurove në shpenzime, pagesa të shtesave për zyrtarë policorë të suspenduar, kompensime përtej afateve të lejuara me ligj, si dhe mangësi të shumta në procedurat e prokurimit publik dhe menaxhimin financiar.…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimi (ZKA), ka evidentuar një sërë parregullsish serioze në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ku përfshihen keqklasifikimi i mbi 10 milionë eurove në shpenzime, pagesa të shtesave për zyrtarë policorë të suspenduar, kompensime përtej afateve të lejuara me ligj, si dhe mangësi të shumta në procedurat e prokurimit publik dhe menaxhimin financiar.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, një nga gjetjet më të rënda lidhet me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në favor të zyrtarëve policorë. Gjatë vitit, Thesari ka realizuar pagesa direkte në vlerë prej 12.56 milionë eurosh, kryesisht për paga të policëve pas vendimeve të gjykatave, mirëpo këto pagesa janë regjistruar në kategori ekonomike të gabuara, shkruan lajmi.net.
Nga kjo shumë, mbi 10 milionë euro janë paguar nga kategoria e investimeve kapitale, ndërsa pjesa tjetër nga kategoritë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe subvencioneve dhe transfereve.
Auditori vlerëson se borxhi kryesor është dashur të paguhej nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, ndërsa shpenzimet për përmbarim dhe interes nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mosplanifikimit të mjeteve buxhetore dhe mospagesës së obligimeve në kohë, duke detyruar shumë zyrtarë policorë t’u drejtohen gjykatave dhe përmbaruesve.
ZKA paralajmëron se klasifikimi i gabuar i këtyre shpenzimeve shtrembëron pasqyrat financiare të ministrisë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e menaxhmentit.
Një tjetër gjetje lidhet me pagesën e shtesave për kushte specifike të punës për zyrtarë policorë të suspenduar. Edhe pse Policia e Kosovës kishte ndërprerë këto pagesa pas rekomandimeve të auditimit të vitit paraprak, auditori ka konstatuar se 19 zyrtarë të suspenduar kanë vazhduar të përfitojnë shtesën edhe pas muajit korrik, ndonëse nuk ushtronin më detyrën dhe nuk ishin të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë. Vlera e këtyre pagesave arrin në 2 mijë e 620 euro.
Po ashtu, raporti evidenton se 58 zyrtarë policorë të suspenduar kanë vazhduar të marrin 50 për qind të pagës edhe pas përfundimit të afatit maksimal gjashtëmujor të paraparë me Udhëzimin Administrativ.
Në disa raste, sipas auditorit, zyrtarët vazhdojnë të jenë të suspenduar që nga viti 2022, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka ndërmarrë veprime për të zgjidhur statusin e tyre, duke krijuar kosto të vazhdueshme për buxhetin publik.
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit evidenton gjithashtu një varg mangësish në proceset e prokurimit publik, kontrollin financiar dhe menaxhimin e pasurisë, duke vlerësuar se këto dobësi kanë ndikuar në rritjen e kostove buxhetore dhe në mosrespektimin e procedurave ligjore.
Sipas auditorit, paqartësitë në Udhëzimin Administrativ që rregullon rastet kur procedurat penale ndaj zyrtarëve zgjasin më shumë se gjashtë muaj kanë krijuar barrë shtesë financiare për buxhetin e Policisë së Kosovës, ndërsa kërkohet që MPB të ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar. /Lajmi.net/