​Tentimi për të manipuluar me pamjet nga “Vidovdani”, Berisha: Serbia synon viktimizimin

Njohësi i çështjeve të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka reaguar ndaj një fotografie që, po shpërndahet nga grupe ekstremiste serbe për të paraqitur Policinë e Kosovës gjoja si keqtrajtuese ndaj pjesëmarrësve në shënimin e “Vidovdanit” në Gazimestan, të dielën. Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se fotografia është nxjerrë jashtë kontekstit dhe se…

Lajme

29/06/2026 14:48

Njohësi i çështjeve të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka reaguar ndaj një fotografie që, po shpërndahet nga grupe ekstremiste serbe për të paraqitur Policinë e Kosovës gjoja si keqtrajtuese ndaj pjesëmarrësve në shënimin e “Vidovdanit” në Gazimestan, të dielën.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka thënë se fotografia është nxjerrë jashtë kontekstit dhe se videoja nga e cila është shkëputur e rrëzon pretendimin.

Sipas tij, në video shihet një zyrtar i Policisë së Kosovës duke u përpjekur të qetësojë një fëmijë serb, e jo duke ushtruar dhunë ndaj tij.

“Jo keqtrajtim, por shihet komplet e kundërta, se si një zyrtar i Policisë së Kosovës mundohet ta qetësojë një fëmijë serb”, ka shkruar Berisha.

E lidhur me videon nga e cila është shkëputur fotografia në fjalë, dje ka reaguar edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi. Sipas Kuçit, një veprim i tillë është pjesë e luftës hibride dhe se është kopje e regjimeve gjenocidale.

Edhe Berisha e ka cilësuar këtë si pjesë të luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës, duke thënë se përpjekjet për ta paraqitur situatën ndryshe kanë ardhur pas, siç i quan ai, dy dështimeve të Beogradit.

Sipas Berishës, i pari ishte dështimi i përpjekjeve për tensionim të situatës gjatë shënimit të “Vidovdanit”, kur institucionet e Kosovës nuk lejuan shfaqjen e flamujve serbë dhe rusë.

Ndërsa si dështim të dytë ai përmend vizitën e disa studentëve serbë në Kosovë, të cilët, sipas tij, pas kthimit në Serbi deklaruan se serbët në Kosovë jetojnë në paqe dhe se presionin kryesor e kanë nga Beogradi.

Berisha vlerëson se për këtë arsye propaganda serbe po përpiqet t’i paraqesë serbët në Kosovë si të shtypur, por shton se profesionalizmi i institucioneve të sigurisë në Kosovë e bën të pamundur, sipas tij, që këto pretendime të mbështeten me fakte.

  1. “Propaganda serbe po dështon aq shumë, sa më nuk po i besojnë as vetë serbët”, ka përfunduar ai.