Përplasje në kuvendin e Mitrovicës së Jugut, Shefki Begu e quan Valon Brahimin “injorant”

Në seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicë, asamblisti i PDK-së Valon Brahimi, ka ngritur shqetësim në lidhje me mungesën e raportimit nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë për mungesën e mësimdhënësve në shkollat e komunës. Gjatë adresimit të kësaj çështjeje në mbledhje, mes tij dhe drejtorit të Arsimit, Shefki Begu, ka pasur përplasje verbale. Begu…

Lajme

29/06/2026 12:49

Në seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicë, asamblisti i PDK-së Valon Brahimi, ka ngritur shqetësim në lidhje me mungesën e raportimit nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë për mungesën e mësimdhënësve në shkollat e komunës.

Gjatë adresimit të kësaj çështjeje në mbledhje, mes tij dhe drejtorit të Arsimit, Shefki Begu, ka pasur përplasje verbale. Begu i është drejtuar Brahimit me fjalën “injorant”, çka ka tensionuar situatën në sallë.

Në reagim, Brahimi ka kërkuar që të bëhet kërkim faljeje për deklaratën, duke paralajmëruar se në të kundërt asamblistët e PDK-së do të largohen nga mbledhja.

Ai shtoi gjithashtu se gjatë përvjetorit të Gjimnazit “Frang Bardhi” nuk kanë qenë të pranishëm të gjitha figurat që kanë dhënë kontribut në Mitrovicë dhe në Kosovë.

Në debat u përfshi edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, i cili iu drejtua Brahimit duke thënë se në organizimin e përvjetorit janë përfshirë kryesisht figura të cilat kanë pasur lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, u shpreh se nuk pajtohet me mënyrën e përzgjedhjes së pjesëmarrësve nga gjimnazi, duke shtuar se Brahimi nuk duhet të ndikohet nga deklaratat fyese dhe se termi “injorant” nuk duhet të përdoret në debate institucionale.