Zyra e BE-së në Kosovë me analizë për ekonominë ruse: Sanksionet po shkaktojnë goditje të thellë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka vlerësuar se, megjithëse rritja e çmimeve të naftës si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme mund t’i sjellë Rusisë përfitime afatshkurtra, ekonomia e saj vazhdon të përballet me probleme të thella strukturore. Në një deklaratë të publikuar, Zyra e BE-së thekson se fitimet shtesë nga eksporti i…

Lajme

28/06/2026 11:45

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka vlerësuar se, megjithëse rritja e çmimeve të naftës si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme mund t’i sjellë Rusisë përfitime afatshkurtra, ekonomia e saj vazhdon të përballet me probleme të thella strukturore.

Në një deklaratë të publikuar, Zyra e BE-së thekson se fitimet shtesë nga eksporti i naftës janë zbutur nga forcimi i valutës ruse dhe subvencionet që shteti u jep kompanive të naftës dhe rafinerive, duke kufizuar ndikimin pozitiv në ekonomi.

Sipas të dhënave të publikuara, në katër muajt e parë të vitit 2026 deficiti buxhetor i Rusisë ka arritur në 5.9 trilionë rubla, shumë më tepër se 3.8 trilionë rubla, sa ishte planifikuar për të gjithë vitin. Po ashtu, mbi 200 mijë biznese raportohet se janë mbyllur që nga muaji janar.

BE-ja thekson se ekonomia ruse vazhdon të përballet me norma të larta interesi, rritje të borxhit korporativ që nga fillimi i luftës në Ukrainë, mungesë të fuqisë punëtore, rritje të taksave dhe dobësim të kërkesës së brendshme.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se 20 paketat e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian vazhdojnë të kufizojnë qasjen e Rusisë në teknologji, financa, logjistikë dhe tregjet energjetike, duke krijuar pasoja afatgjata për ekonominë e vendit.

Sipas Zyrës së BE-së, rritja e çmimeve të naftës mund të ofrojë vetëm një lehtësim të përkohshëm, por nuk e zhbën dëmin strukturor që sanksionet dhe zhvillimet ekonomike i kanë shkaktuar ekonomisë ruse. /Lajmi.net/