Raporti i Auditimit: Komuna e Prishtinës ka nisur projekte pa leje dhe pa mbulesë buxhetore
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin për Komunën e Prishtinës, ka evidentuar se kryeqyteti ka nisur procedura të prokurimit dhe ka nënshkruar kontrata për projekte kapitale pa u pajisur më parë me lejet dhe pëlqimet e nevojshme ndërtimore. ZKA-ja, përveç kësaj, ka theksuar se janë evidentuar edhe vonesa të gjata në shqyrtimin e kërkesave…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin për Komunën e Prishtinës, ka evidentuar se kryeqyteti ka nisur procedura të prokurimit dhe ka nënshkruar kontrata për projekte kapitale pa u pajisur më parë me lejet dhe pëlqimet e nevojshme ndërtimore.
ZKA-ja, përveç kësaj, ka theksuar se janë evidentuar edhe vonesa të gjata në shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimore, të cilat në disa raste kanë zgjatur deri në tre vjet, duke tejkaluar ndjeshëm afatet ligjore.
Në një nga rastet e identifikuara, kontrata për projektin “Ndërtimi i Sheshit Xhorxh Bush”, me vlerë mbi 18 milionë euro, ishte nënshkruar para se të sigurohej pëlqimi nga Drejtoria e Urbanizmit, i cili është dhënë më shumë se një muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Ndërkohë, në gjashtë raste të tjera, shqyrtimi i lejeve ndërtimore është zvarritur për periudha të gjata, duke ndikuar si në realizimin e projekteve publike, ashtu edhe në ofrimin me kohë të shërbimeve për qytetarët.
ZKA vlerësoi se këto vonesa lidhen me mosfunksionimin e kontrolleve të brendshme dhe mungesën e mbikëqyrjes efektive administrative.


Por këto nuk janë të vetmet gjetje që auditori ka evidentuar për kryeqytetin. Në raportin vjetor për vitin 2025, ZKA ka ngritur një sërë shqetësimesh të tjera që lidhen me menaxhimin financiar dhe administrativ të Komunës së Prishtinës.
Sipas raportit, komuna ka hyrë në obligime kontraktuale pa mbulesë të mjaftueshme buxhetore, duke nënshkruar kontrata shumëvjeçare për projekte kapitale pa siguruar fonde të plota në Ligjin e Buxhetit. Po ashtu, janë evidentuar edhe ndryshime buxhetore ndërmjet projekteve kapitale pa miratim paraprak të Kuvendit Komunal, duke cenuar kontrollin institucional mbi shpenzimet publike.
Një tjetër gjetje lidhet me procesin e prokurimit, ku në një rast të madh kontraktues për ndërtimin e sheshit qendror, komisioni vlerësues nuk kishte identifikuar gabime të rëndësishme aritmetike në ofertën e operatorit ekonomik, duke rezultuar në shpërblimin e një kontrate në kundërshtim me rregullat në fuqi.

ZKA po ashtu ka konstatuar se komuna ka financuar një organizatë joqeveritare pa thirrje publike, duke shmangur procedurat konkurruese dhe duke cenuar parimet e transparencës në shpërndarjen e fondeve publike.
Ndër gjetjet e tjera përmenden edhe vonesat në shqyrtimin e lejeve ndërtimore, si dhe mangësitë e përsëritura në planifikimin dhe realizimin e projekteve kapitale, të cilat kanë ndikuar në efikasitetin e përgjithshëm të administratës komunale.
Sipas auditorit, këto praktika kanë krijuar rrezik të shtuar për keqmenaxhim financiar, kanë dobësuar kontrollin institucional mbi buxhetin dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në realizimin me kohë të projekteve publike në kryeqytet.