AUV apel bizneseve dhe qytetarëve: Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt, kontrolle të shtuara gjatë verës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor – nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, deponimi dhe shpërndarja, deri te tregtimi – që të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore. Apeli vlen edhe për bizneset e…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor – nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, deponimi dhe shpërndarja, deri te tregtimi – që të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Apeli vlen edhe për bizneset e gastronomisë, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe të gjitha subjektet që janë në kontakt me ushqimin.
Sipas AUV-it, me rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror është thelbësore që produktet ushqimore të ruhen në temperaturat e përcaktuara në etiketë, të kontrollohen rregullisht pajisjet ftohëse dhe ngrirëse, si dhe të zbatohen me përpikëri masat e vetëkontrollit.
Agjencia u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore, transportit të tyre deri në shtëpi dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme deri në konsumim. Çdo produkt që kërkon kushte specifike ruajtjeje i ka të deklaruara temperaturat përkatëse në etiketim.
AUV thekson se produktet me prejardhje shtazore janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdes duhet të tregohet edhe për produktet e tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura të caktuara, pasi jetëgjatësia e tyre lidhet drejtpërdrejt me kushtet e ruajtjes.
“Siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë helmimet ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Agjencia ka paralajmëruar se gjatë periudhës së verës do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin për të mbikëqyrur zbatimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke theksuar se asnjë shkelje nuk do të tolerohet.