FSK-ja mbetet institucioni më i besueshëm në Kosovë, gëzon 87.4 për qind të besimit të qytetarëve
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) edhe këtë vit është renditur si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga FSK-ja, 87.4 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur besim ndaj këtij institucioni. Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim…
Lajme
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) edhe këtë vit është renditur si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga FSK-ja, 87.4 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur besim ndaj këtij institucioni.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka falënderuar qytetarët për besimin e vazhdueshëm, si dhe personelin e FSK-së për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në kryerjen e detyrave, transmeton lajmi.net.
“Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim të sinqertë për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm të treguar ndaj FSK-së. Gjithashtu falënderoj të gjithë personelin e FSK-së për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe angazhimin e vazhdueshëm në përmbushje të misionit”, thuhet në reagimin e komandantit Jashari.
Sipas FSK-së, ky rezultat është dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të saj në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.
Në njoftim theksohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë ta realizojë misionin e saj me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë, duke qenë gjithmonë e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
FSK-ja vlerëson se besimi i qytetarëve përbën njëkohësisht nder, përgjegjësi dhe motiv shtesë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe kontributit për paqen dhe sigurinë.