DHTIK kundërshton draft-rregulloren e Prishtinës, paralajmëron ndikim negativ në biznes dhe investime

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të Kryeqytetit, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e saj mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes në Prishtinë. Sipas DHTIK, çdo ndryshim fiskal duhet…

Lajme

26/06/2026 11:19

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të Kryeqytetit, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e saj mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes në Prishtinë.

Sipas DHTIK, çdo ndryshim fiskal duhet të bazohet në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit, gjë që sipas saj nuk është respektuar nga Komuna e Prishtinës në këtë rast, transmeton lajmi.net.

Dhoma vlerëson se draft-rregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari, pa ofruar analiza të qarta ekonomike apo arsyetime për ndikimin e tyre. Sipas saj, kjo krijon barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Si shembull, DHTIK përmend bizneset e vogla si furrat e bukës, kafeteritë dhe dyqanet, të cilat sipas saj tashmë përballen me rritje të kostove të energjisë, qirasë dhe pagave, duke u vështirësuar edhe më shumë nëse rregullorja miratohet.

Po ashtu, dhoma thekson se tarifimi i secilës njësi biznesore veçmas mund të dekurajojë zgjerimin e bizneseve dhe të rrisë kostot operative, duke ndikuar në uljen e aktivitetit ekonomik.

DHTIK ka theksuar se politikat fiskale, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, duhet të synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime, zhvillim të bizneseve dhe hapje të vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare.

Në reagim, dhoma ka kundërshtuar edhe rikthimin e taksave të biznesit nga Komuna e Prishtinës, duke e cilësuar atë si një hap që bie ndesh me reformën fiskale të periudhës 2008–2012, e mbështetur nga Banka Botërore dhe USAID, e cila synonte një sistem më të thjeshtë, transparent dhe konkurrues të taksimit.

Sipas DHTIK, ky model fiskal ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Prishtinës, forcimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve.

Në fund, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që para miratimit përfundimtar të rregullores të zhvillojë konsultime të zgjeruara me komunitetin e biznesit, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të balancuara që nuk dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat.

Komunikata e plotë: 

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shqyrtuar me kujdes Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të Kryeqytetit dhe me këtë rast shpreh shqetësimin e saj lidhur me disa dispozita, të cilat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes, konkurrueshmërinë dhe investimet në Kryeqytet. 

DHTIK vlerëson se çdo ndryshim fiskal duhet të bazohet në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit, gjë që në këtë rast komuna e Prishtinës nuk e ka bërë.

Në këtë drejtim, konsiderojmë se draft-rregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari pa u dhënë ndonjë arsyetim ekonomik ose analizë e ndikimit.

Tarifa të tilla krijojnë barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Për shembull, një furrë buke, kafene apo dyqan i vogël që tashmë përballet me rritje të kostove  të energjisë, qirasë dhe pagave, do të ketë edhe më të vështirë të operojë nëse kjo rregullore hyn në fuqi.

Tarifimi i secilës njësi biznesore veçmas, dekurajon zgjerimin e bizneseve dhe do të ndikoj në rritjen e ndjeshme të kostove dhe ulje të aktivitetit ekonomik.

DHTIK konsideron se çdo politikë fiskale si në nivel qendror ashtu edhe në këtë rast në nivelin lokal, duhet të synojë krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investime, zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare për bizneset.

Gjithashtu, propozimi aktual i Komunës së Prishtinës për rikthimin e taksave të biznesit bie ndesh me arkitekturën fiskale të vendosur ndërmjet viteve 2008-2012 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe USAID-it që kishte për qëllim krijimin e një sistemi të thjeshtë, transparent dhe konkurrues të taksimit, duke eliminuar taksat komunale mbi bizneset dhe duke reduktuar barrën administrative. Këto reforma synonin krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Modeli fiskal i ndërtuar pas vitit 2008 ka qenë një ndër faktorët kyç që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Prishtinës, forcimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve.

Për këtë arsye, ftojmë Komunën e Prishtinës që, para miratimit përfundimtar të kësaj rregulloreje, të organizojë konsultime të zgjeruara me komunitetin e biznesit, në mënyrë që të gjenden zgjidhje të balancuara që mbrojnë interesin publik pa cenuar zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat.