Abdixhiku: Votat e diasporës ndryshuan rrjedhën e formimit të institucioneve, ishim partia e vetme në rritje, edhe në votë edhe në përqindje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe ndikimin e votës së diasporës në konfigurimin politik pas procesit zgjedhor. Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku vlerësoi se periudha e shkurtër mes dy proceseve zgjedhore e bëri të vështirë që të ndodhnin ndryshime…

Lajme

25/06/2026 21:20

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe ndikimin e votës së diasporës në konfigurimin politik pas procesit zgjedhor.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku vlerësoi se periudha e shkurtër mes dy proceseve zgjedhore e bëri të vështirë që të ndodhnin ndryshime të mëdha në rezultatet e partive politike.

“Ne kishim një periudhë shumë të shkurtë prej zgjedhjeve të fundit. Është e paprecedent për Republikën e Kosovës të mbahen tre zgjedhje dhe e paprecedent për një bartës të proceseve që në periudha shumë të ngushta kohore të kemi përballje me zgjedhje të jashtëzakonshme, në raste të tilla zakonisht pritjet janë minimaliste për të pasur ndryshim. Rrjedhimisht çdo ndryshim eventual për të mirë është i mirëpritur marrë parasysh kohën e shkurtë”, tha Abdixhiku, transmeton lajmi.net.

Duke komentuar rezultatin zgjedhor, kreu i LDK-së theksoi se ai duhet parë në dy dimensione: rezultatin e natës së zgjedhjeve dhe ndikimin që pati më pas vota e mërgatës në ndarjen e mandateve.

Sipas tij, në natën e zgjedhjeve ekzistonte nevoja për bashkëpunim ndërmjet partive politike për formimin e institucioneve të reja, ndërsa rezultati përfundimtar mori një drejtim tjetër pas numërimit të votave nga diaspora.

“Rezultatin e zgjedhjeve duhet ta analizojmë në dy dioptri. E para është rezultati në Kosovë, në natën e zgjedhjeve. LDK ishte kthyer në rezultatin e shkurtit, në të njëjtën kohë partia e parë kishte rënë në atë 42% e shkurtit po ashtu. Kishim 20 mandate në natën e zgjedhjeve, me votat e mërgatës ndodhi përmbysja edhe substanciale e natyrës së ekzistencës së institucioneve, sepse në atë kohë në natën e zgjedhjeve kishte domosdoshmëri edhe për bashkëpunim pra për koalicion qeverisës, pra edhe për qeverisje, jo vetëm për president, ky ishte vullneti i popullit të Kosovës që jetonte në Kosovë. Po më pas votat e mërgatës, ndryshoi rezultatin 5 deputetë por në diferencë janë 10 sepse kur i merr 5 deputetë njërës palë dhe i shton palës tjetër më pas ndryshon konstruktin e zgjedhjeve. Ne ishim partia e vetme në rritje, edhe në votë edhe në përqindje”, deklaroi ai.

Abdixhiku e cilësoi votën e diasporës si një faktor që ndikoi drejtpërdrejt në raportet e forcave politike dhe, sipas tij, ndryshoi edhe dinamikën e diskutimeve për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve./lajmi.net/