Zyrtarët serbë kritikojnë hetimet për krimet e luftës në Kosovë – Odalloviq deklaron që këto raste “po i shqetësojnë serbët”
Dy zyrtarë serbë të ftuar në televizionin publik serb (RTS) kanë vazhduar të paraqesin qëndrime që relativizojnë dhe minimizojnë krimet e luftës të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kontestuar edhe karakterin e ngjarjeve në Prekaz, ku u vra komandanti Adem Jashari së bashku me familjen e tij. Në debat, ata kanë pretenduar se…
Lajme
Dy zyrtarë serbë të ftuar në televizionin publik serb (RTS) kanë vazhduar të paraqesin qëndrime që relativizojnë dhe minimizojnë krimet e luftës të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kontestuar edhe karakterin e ngjarjeve në Prekaz, ku u vra komandanti Adem Jashari së bashku me familjen e tij.
Në debat, ata kanë pretenduar se hetimet dhe proceset e reja gjyqësore lidhur me luftën në Kosovë janë të motivuara politikisht dhe nuk mbështeten në prova të reja, duke i paraqitur ato si pjesë të një narrative të imponuar.
Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur, Veljko Odaloviq, ka deklaruar se hapja e rasteve të reja për ngjarjet e luftës në Kosovë përbën, sipas tij, “vazhdim të presionit ndaj serbëve” dhe përpjekje për ndryshim të interpretimit të historisë së konfliktit.
“Po vazhdon frikësimi i serbëve në Kosovë. Janë ngritur mbi 20 aktakuza në mungesë, gjë që shqetëson njerëzit që kanë kryer detyrat e tyre zyrtare,” ka thënë Odaloviq.
Ai ka pretenduar gjithashtu se rastet e mëhershme, përfshirë ngjarjen në Reçak, nuk janë vërtetuar me vendime përfundimtare ndërkombëtare dhe se disa akuza janë hequr nga aktakuzat e Tribunalit të Hagës për mungesë provash, duke kontestuar kështu gjetjet e mëhershme të hetimeve ndërkombëtare.
Sipas tij, përpjekjet aktuale synojnë ndryshimin e narrativës së luftës, duke paraqitur formacionet e atëhershme si viktima civile, ndërsa insiston se bëhej fjalë për grupe të armatosura që kanë sulmuar policinë dhe civilët.
Edhe më i ashpër në qëndrime ishte avokati dhe ish-prokurori ushtarak, Dragan Pasiq, i cili deklaroi se aksioni në Prekaz ku u vra komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, nuk mund të konsiderohet krim lufte, por një operacion antiterrorist.
“Operacioni në Prekaz ishte përgjigje ndaj sulmeve të një grupi të armatosur,” tha Pasiq, duke e paraqitur ndërhyrjen si veprim legjitim ushtarak.
Ai shkoi edhe më tej duke e cilësuar Adem Jashari si “terrorist”, një deklarim që bie ndesh me interpretimet ndërkombëtare të ngjarjeve dhe me kontekstin historik të konfliktit.
Pasiq gjithashtu pretendoi se Gjykata e Hagës nuk ka ngritur kurrë aktakuza për këtë rast ndaj zyrtarëve serbë, gjë që sipas tij dëshmon se ngjarja nuk është trajtuar si krim lufte, duke tentuar kështu të relativizojë përgjegjësinë për veprimet gjatë luftës.
Deklaratat e të dy zyrtarëve janë bërë në kuadër të një debati televiziv mbi hetimet e reja dhe kërkesat e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.