Shqipëria e shpall “non-grata” Igballe Hudutin për 15 vjet

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka nënshkruar një urdhër me të cilin Igballe Huduti (Berisha) shpallet “person i padëshiruar” në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej 15 vjetësh. Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi është marrë mbi bazën e të dhënave të grumbulluara nga institucionet përkatëse, sipas të…

Lajme

25/06/2026 14:53

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka nënshkruar një urdhër me të cilin Igballe Huduti (Berisha) shpallet “person i padëshiruar” në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë prej 15 vjetësh.

Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi është marrë mbi bazën e të dhënave të grumbulluara nga institucionet përkatëse, sipas të cilave aktiviteti i saj është vlerësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin publik dhe interesat e vendit.

Urdhri i ministrit Lamallari i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Huduti është përmendur më herët në opinionin publik për shkak të lidhjeve të pretenduara me regjimin iranian, ndërsa autoritetet shqiptare e lidhin atë edhe me deklarata publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Ajo është shfaqur gjithashtu në fotografi pranë ish-presidentit iranian Mahmud Ahmadinejad.

Vendimi vjen në një kohë kur emri i saj është përmendur edhe në lidhje me protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë.

Gjatë ditës, kryeministri Edi Rama reagoi publikisht përmes rrjeteve sociale, duke publikuar fotografi të Hudutit dhe duke e akuzuar atë për nxitje të urrejtjes dhe thirrje kundër institucioneve shtetërore.

Rama pretendoi se Huduti ka bërë thirrje për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe e lidhi atë me figura të larta të regjimit iranian, përfshirë ish-presidentin Mahmud Ahmadinejad dhe gjeneralin e vrarë iranian Qasem Soleimani.

“Mos u merr me protestuesit…

Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama./Lajmi.net/