Avni Islami akuzon Veljko Odaloviqin: Po mohon krimet e luftës dhe po pengon zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ashpër ndaj rolit të Veljko Odalović në krye të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, duke e cilësuar praninë e tij në këtë proces si provokim dhe fyerje për viktimat e luftës në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, Islami ka kujtuar se Odaloviqi deri…
Lajme
Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ashpër ndaj rolit të Veljko Odalović në krye të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, duke e cilësuar praninë e tij në këtë proces si provokim dhe fyerje për viktimat e luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Islami ka kujtuar se Odaloviqi deri në vitin 1999 ka qenë zyrtar i lartë i regjimit të Slobodan Milošević, duke ushtruar funksionin e kryetarit të Qarkut të Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa pas luftës ka vazhduar aktivitetin politik në Beograd.
Sipas Islamit, angazhimi i Odaloviqit në çështjen e personave të zhdukur që nga viti 2006 ka qenë vazhdimisht burim tensionesh dhe pengesash në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme nga institucionet kosovare.
Ai e akuzon Odaloviqin se po zhvillon një fushatë që synon, nga njëra anë, të relativizojë dhe mohojë krimet e luftës të kryera ndaj civilëve shqiptarë, ndërsa nga ana tjetër të paraqesë serbët lokalë si viktima të presionit institucional në Kosovë.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të Odaloviqit lidhur me arrestimin e pesë personave të dyshuar në rastin “Reçaku 2”, Islami tha se ai ka tentuar ta paraqesë zbatimin e ligjit si presion ndaj komunitetit serb, duke dërguar, sipas tij, mesazhe që synojnë të manipulojnë opinionin ndërkombëtar.
“Institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për drejtësi dhe për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, duke refuzuar që kjo çështje humanitare të mbetet peng i figurave që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit”, ka theksuar Islami në reagimin e tij. /Lajmi.net/