10 shtete jo-anëtare të NATO-s do të marrin pjesë në Samitin në Ankara, por Kosova jo- Ministria Mbrojtjes tregon arsyen
NATO do të mbaj Samitin e radhës më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë. Në këtë Samit, përveç 32 shteteve anëtare të NATO-s, do të marrin pjesë edhe 10 shtete jo anëtare të saj, por jo edhe Kosova e cila nuk ka marrë pjesë. Ministria e Mbrojtjes, ka konfirmuar se Kosova nuk ka…
Lajme
NATO do të mbaj Samitin e radhës më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë.
Në këtë Samit, përveç 32 shteteve anëtare të NATO-s, do të marrin pjesë edhe 10 shtete jo anëtare të saj, por jo edhe Kosova e cila nuk ka marrë pjesë.
Ministria e Mbrojtjes, ka konfirmuar se Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.
Përmes një përgjigje për lajmi.net, nga kjo Ministri kanë thënë se arsyeja pse Kosova nuk e ka marrë këtë ftesë është pasi që nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, dhe sipas tyre për këtë arsye Kosova nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës.
“Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesat për aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e Samitit, siç ishte aktiviteti “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), i organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë Samitit të NATO-s vitin e kaluar”, kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes për lajmi.net.
Ata kanë thënë se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.
“Prandaj, theksojmë se Republika e Kosovës nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës, për shkak se nuk është ende shtet anëtar i Aleancës. Megjithatë, Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vazhduar të avancojë reformat, të përmbushë standardet e nevojshme dhe të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe shtetet anëtare”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie.
Katër vende të NATO-s, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në NATO, vendimet për anëtarësim merren me konsensus të plotë, që do të thotë se edhe kundërshtimi i një shteti të vetëm mund ta bllokojë procesin.
Kosova ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO, pasi nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës. Por pavarësisht se pjesë e samitit do jenë edhe shtetet jo anëtare- Kosovës zgjodhën të mos i bëjnë ftesë fare, e detajisht mbi këtë nuk folën as drejtuesit në detyrë të institucioneve në Kosovë.
Kurse u.d e presidentes së Kosovë, Albulena Haxhiu, fillimisht tregoi se s’di fare rreth kësaj ngjarje, ose së paku ashtu deshi të shfaqej.
E pyetur se si Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s, Haxhiu ka dhënë këtë përgjigje se ende duhet marrë informata.
“Ende jemi duke marrë informacione për këtë, natyrisht ju lutem që të pyesni me shkrim institucionet kompetente dhe do të përgjigjen”, ka shtuar ajo./Lajmi.net/