Totaj rendit pasojat nëse Kosova mbetet jashtë projektit të gazit amerikan: Rrezikohen ekonomia, energjia dhe raportet me SHBA-në
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar lidhur me projektin e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG), duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund t’i ketë Kosova nëse nuk përfshihet në këtë iniciativë strategjike. Përmes një postimi në Facebook, Totaj ka theksuar se refuzimi ose mospërfshirja e Kosovës në projektin e gazit…
Lajme
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar lidhur me projektin e gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG), duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, mund t’i ketë Kosova nëse nuk përfshihet në këtë iniciativë strategjike.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj ka theksuar se refuzimi ose mospërfshirja e Kosovës në projektin e gazit amerikan mund të sjellë pasoja në aspektin gjeopolitik, energjetik, ekonomik dhe mjedisor.
Sipas tij, Kosova rrezikon të mbetet jashtë rrjetit rajonal të gazit në Ballkanin Perëndimor, gjë që mund të ndikojë edhe në raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka vlerësuar se vendet e rajonit tashmë kanë avancuar bashkëpunimin me SHBA-në në sektorin energjetik, duke forcuar pozicionin e tyre gjeopolitik.
Totaj ka theksuar po ashtu se mosrealizimi i projektit do ta mbante Kosovën të varur nga termocentralet me linjit dhe do të vështirësonte diversifikimin e burimeve energjetike, duke rritur kostot e importit të energjisë elektrike në periudha krizash apo remontesh.
Në aspektin ekonomik, ai ka vlerësuar se mungesa e infrastrukturës së gazit natyror mund të ndikojë negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe të zvogëlojë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore krahasuar me vendet e rajonit që tashmë shfrytëzojnë gazin për nevoja industriale.
Sipas Totajt, mospërfshirja në projekt do të ngadalësonte edhe tranzicionin ekologjik të Kosovës, pasi gazi natyror konsiderohet si një alternativë më e pastër se qymyri dhe një hallkë e rëndësishme në procesin e dekarbonizimit dhe kalimit drejt teknologjive të reja energjetike.
Ai ka bërë thirrje që çështja e gazit amerikan të trajtohet si një interes strategjik për zhvillimin afatgjatë të vendit. /Lajmi.net/