Të paktën 32 të vdekur nga tërmetet e fuqishme në Venezuelë
Dy tërmete të fuqishme kanë lënë të vdekur të paktën 32 persona dhe kanë plagosur mbi 700 të tjerë në Venezuelë, tha presidentja e përkohshme e vendit, pasi dy dridhje të fuqishme shkaktuan rrëzimin e ndërtesave. Punëtorët e shpëtimit dhe banorët janë parë duke kontrolluar nëpër rrënoja për të mbijetuar, teksa pas fatkeqësisë natyrore udhëheqësja…
Bota
Dy tërmete të fuqishme kanë lënë të vdekur të paktën 32 persona dhe kanë plagosur mbi 700 të tjerë në Venezuelë, tha presidentja e përkohshme e vendit, pasi dy dridhje të fuqishme shkaktuan rrëzimin e ndërtesave.
Punëtorët e shpëtimit dhe banorët janë parë duke kontrolluar nëpër rrënoja për të mbijetuar, teksa pas fatkeqësisë natyrore udhëheqësja e përkohshme e vendit, Delcy Rodriguez shpalli gjendje energjente.
Tërmetet me 7.2 dhe 7.5 shkallë të Rihterit goditën zonën e njëjtë në Venezuelë të mërkurën, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar rrëzimin e ndërtesave në kryeqytet dhe duke detyruar autoritetet që të mbyllin aeroportin kryesor të vendit.
Gjatë një adresimi drejtuar kombit në orët e hershme të së enjtes, Rodriguez tha se Qeveria ka “pranuar raporte për 32 vdekje” dhe “mbi 700 të plagosur”, duke shtuar se ajo ende nuk ka të dhëna nga “zona e goditur më së keqi”, përkatësisht La Guaria, që gjendet afër kryeqytetit.
Rodriguez kishte deklaruar paraprakisht se 20 pasgoditje ishin regjistruar pas dy tërmeteve.
Lëkundjet e tokës shkaktuan panik në Karakas.
“Shkallët u rrëzuan, i gjithë muri u ça. Gjërat binin nga tavani. Ishte e tmerrshme”, tha për AFP-në, Odalis Escalona, 54-vjeçare.

SHBA-ja “menjëherë dislokoi ekipe të kërkim-shpëtimit, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare për Venezuelën”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të enjten.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën vonë se “dy tërmete të fuqishme sapo goditën popullin e Venezuelës dhe që të dy janë masiv dhe kanë shkaktuar numër të tmerrshëm vdekjesh”.
Tërmeti i parë, me epiqendër 21 kilometra në perëndim të qytezës Moron, ndodhi në orën 22:04, sipas kohë lokale, tha Shërbimi amerikan i Gjeologjisë. Brenda minutës, një tërmet prej 7.5 shkallësh goditi rreth 45 kilometra më larg.
“Ky tërmet është ngjarja e dytë me tërmet të dyfishtë. Shkalla prej 7.5 ballësh ndodhi pas një goditje prej 7.2 shkallësh që zgjati 39 sekonda”, tha shërbimi amerikan.
Të dy goditjet ishin në thellësi prej 22 kilometrash, përkatësisht 10 kilometrash.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, u bëri thirrje banorëve që të largoheshin nga shtëpitë, duke shtuar se furnizimet me gaz të ndërtesave janë ndërprerë si masë mbrojtëse. Callebo tha se shtetet e Turijlos, Karabobos, Mirandas dhe La Guairas janë goditur më së rëndi.
Aeroporti Ndërkombëtar Maiquetia, që gjendet afër Karakasit, u mbyll për shkak të “dëmeve serioze” në infrastrukturë, tha Rodriguez.
Dridhjet e tokës u ndien deri në Bogota të Kolumbisë, ku u lëshuan alarmet dhe disa banorë u evakuuan nga ndërtesat si masë mbrojtëse.
Venezuela gjendet në një zonë që është e prirë të përballet me tërmete dhe lëkundjet më të mëdha të tokës në historinë moderne të Venezuelës ndodhën në verilindje të vendit në vitin 1997, kur u vranë 73 persona dhe në Karakas më 1967, kur 236 persona humbën jetën.
Pak pas dridhjeve të dyfishta të tokës, një tërmet prej 7.2 ballësh goditi veriun e Japonisë, thanë autoritetet të cilat nuk raportuan për viktima apo dëme materiale.