Pas Merdarit, Dogana synon vendosjen e skanerëve X-Ray edhe në kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Dogana e Kosovës pritet të zgjerojë përdorimin e teknologjisë së avancuar të kontrollit kufitar, duke instaluar skanerë mobilë X-Ray edhe në pikat e tjera kufitare të vendit, pas funksionalizimit të pajisjes së parë të këtij lloji në vendkalimin kufitar në Merdar. Sipas zyrtarëve doganorë, synimi është që gradualisht të mbulohen të gjitha pikat kryesore kufitare…
Lajme
Dogana e Kosovës pritet të zgjerojë përdorimin e teknologjisë së avancuar të kontrollit kufitar, duke instaluar skanerë mobilë X-Ray edhe në pikat e tjera kufitare të vendit, pas funksionalizimit të pajisjes së parë të këtij lloji në vendkalimin kufitar në Merdar.
Sipas zyrtarëve doganorë, synimi është që gradualisht të mbulohen të gjitha pikat kryesore kufitare me pajisje moderne për kontrollin e mallrave dhe automjeteve, me fokus të veçantë në vendkalimet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe pikat e tjera ndërkombëtare.
Skaneri mobil X-Ray i vendosur në Merdar është siguruar si donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit EXBS dhe konsiderohet ndër pajisjet më të avancuara për kontrollin e ngarkesave dhe identifikimin e rreziqeve në kufi. Para vënies në funksion, Dogana e Kosovës ka realizuar trajnimin e stafit dhe testimin teknik të pajisjes.
Kjo teknologji mundëson kontrollimin e kamionëve dhe ngarkesave pa pasur nevojë për hapjen fizike të tyre, duke përshpejtuar procedurat doganore dhe duke rritur aftësitë për zbulimin e kontrabandës, armëve, narkotikëve dhe mallrave të padeklaruara.
Vendosja e skanerëve në kufijtë e Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve institucionale prej vitesh. Në vitin 2024, kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, kishte deklaruar se liberalizimi i plotë i qarkullimit të mallrave nga Serbia do të kushtëzohej me vendosjen e skanerëve modernë për kontrollin e ngarkesave.
Në të njëjtën periudhë, Dogana kishte nisur procedurat për sigurimin e pajisjeve të tilla, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kishin ofruar mbështetje përmes donacioneve dhe asistencës teknike.
Sipas Doganës së Kosovës, zgjerimi i rrjetit të skanerëve në pikat kufitare pritet të rrisë sigurinë kufitare, të luftojë më efektivisht kontrabandën dhe aktivitetet e paligjshme, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave në hyrje dhe dalje të vendit.