Ekstradohet kosovari i kapur në Belgjikë, arrestohet gjermani i kërkuar nga Spanja të dy kërkoheshin nga Interpoli
Policia e Kosovës ka ekstraduar nga Belgjika një shtetas kosovar të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it, ndërsa në një aksion tjetër në Prishtinë ka arrestuar një shtetas gjerman, i cili kërkohej nga autoritetet spanjolle, po ashtu me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it. Në rastin e parë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë…
Lajme
Policia e Kosovës ka ekstraduar nga Belgjika një shtetas kosovar të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it, ndërsa në një aksion tjetër në Prishtinë ka arrestuar një shtetas gjerman, i cili kërkohej nga autoritetet spanjolle, po ashtu me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it.
Në rastin e parë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar të mërkurën ekstradimin e shtetasit kosovar me inicialet L.B. nga Belgjika në Kosovë.
Sipas njoftimit, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet belge pasi kërkohej nga INTERPOL-i me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Pas ekstradimit, ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit për vazhdimin e procedurave ligjore.
Ndërkaq, po të mërkurën, rreth orës 13:45, zyrtarët e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me Policinë e rajonit të Prishtinës, arrestuan shtetasin gjerman me inicialet A.J.
Policia bëri të ditur se ai kërkohej nga INTERPOL-i në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Spanjës.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e parapara ligjore.