MINTI intensifikon kontrollet ndaj shitjes së cigareve elektronike për të miturit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Tregut (IQMT), ka ndërmarrë aksione inspektuese në disa komuna të Kosovës me qëllim parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te personat e mitur. Sipas një komunikate të ministrisë, gjatë pjesës së parë të muajit qershor inspektimet janë përqendruar kryesisht në bizneset që operojnë…
Lajme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Tregut (IQMT), ka ndërmarrë aksione inspektuese në disa komuna të Kosovës me qëllim parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te personat e mitur.
Sipas një komunikate të ministrisë, gjatë pjesës së parë të muajit qershor inspektimet janë përqendruar kryesisht në bizneset që operojnë në afërsi të institucioneve arsimore dhe që merren me tregtimin e cigareve elektronike.
Kontrollet janë zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Vushtrri, Ferizaj dhe Viti, ku inspektorët kanë verifikuar zbatimin e dispozitave të Ligjit për Kontrollin e Duhanit që ndalojnë shitjen e produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme për të miturit.
MINTI ka bërë të ditur se gjatë inspektimeve janë evidentuar edhe shkelje të caktuara, të cilat tashmë janë në procedurë trajtimi dhe do të ndiqen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas ministrisë, aksionet inspektuese do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në komuna të tjera të vendit, me qëllim të rritjes së nivelit të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
Në komunikatë theksohet se institucionet mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e të rinjve nga qasja në produkte që mund të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre, duke vënë theks të veçantë në parandalimin e përdorimit të cigareve elektronike nga të miturit. /Lajmi.net/