​Shefi i EULEX-it thotë se shtetet e BE-së janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve të tyre për ta mbështetur Kosovën

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve te tyre që shërbejnë në këtë mision për ta mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj, deklaron shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano. Barbano në intervistën e fundit si shef i Misioni të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, thotë se, EULEX…

Lajme

24/06/2026 12:39

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë gati ta rrezikojnë jetën e policëve te tyre që shërbejnë në këtë mision për ta mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj, deklaron shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Barbano në intervistën e fundit si shef i Misioni të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, thotë se, EULEX si reaguesi i dytë në Kosovë është gati të ndërhyjë në rast se është e nevojshme, gjë që sipas tij, ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm.

“Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, ndërsa KFOR-i është reaguesi i tretë. Në mes tyre, EULEX vepron si reaguesi i dytë i sigurisë, me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës, nëse situata e kërkon. Duke e bërë këtë, ne ushtrojmë rolin tonë si reagues i dytë në përputhje me vullnetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme të rrezikojnë jetën e policëve të tyre që shërbejnë në EULEX për të mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj. Ky është një mesazh politik shumë i rëndësishëm që duhet kuptuar. Do të thotë se ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse është e nevojshme”, thotë Barbano.

Ai tutje thotë se EULEX-i mbetet i përkushtuar për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë, teksa shtoi se kanë mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë policore në rast nevoje.

“Shpresojmë që të mos ketë nevojë për këtë, por kemi gjithashtu mekanizma për të marrë përforcime nga njësitë rezervë policore të siguruara nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë. Ne mbetemi të përkushtuar për të kontribuar në përpjekjet për ruajtjen e sigurisë. Në këtë drejtim kemi përmirësuar mekanizmat për trajnim të përbashkët dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit, si dhe kemi rritur ndërveprueshmërinë tonë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo ka dëshmuar efektivitet në disa raste”, nënvizon ai.