Shfaqet në Oslo, instilacioni që nderon të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e Kosovës

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Oslo është prezantuar instalacioni artistik “Thinking of You” i artistes Alketa Xhafa Mripa, një vepër që i kushtohet të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Instalacioni, i cili prej vitesh është shndërruar në një…

Lajme

24/06/2026 12:34

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, në Oslo është prezantuar instalacioni artistik “Thinking of You” i artistes Alketa Xhafa Mripa, një vepër që i kushtohet të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.

Instalacioni, i cili prej vitesh është shndërruar në një simbol ndërkombëtar solidariteti, përbëhet nga qindra fustane të dhuruara nga të mbijetuar dhe mbështetës nga më shumë se 20 shtete. Veshjet, të vendosura në hapësirën publike, e transformojnë një objekt të përditshëm në një dëshmi kolektive kujtese, qëndrese dhe mbështetjeje.

Sipas organizatorëve, veshjet janë vendosur rreth Qendra Nobel për Paqe dhe përgjatë rrugës Torggata, duke krijuar një hapësirë publike reflektimi që synon të nxisë dialog dhe ndërgjegjësim mbi krimet e luftës dhe pasojat e tyre afatgjata.

Në ceremoninë e përurimit folën drejtoresha e Qendra Nobel për Paqe, Kjersti Fløgstad, artistja Alketa Xhafa Mripa, si dhe drejtori i Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

Ekspozita është prezantuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji në bashkëpunim me organizata partnere ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë Norges Kvinne Lobby, Mental Health and Human Rights Info, Qendra Nobel për Paqe dhe Ambasada Britanike në Norvegji.

Projekti mbështetet gjithashtu nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë Ministria e Kulturës e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, si dhe nga Ambasada e Holandës në Norvegji, ARCON dhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Norvegji.