Kryetari i LDK-së në Suharekë kërkon maturi pas kërkesave për dorëheqjen e Abdixhikut: Të mos iu hidhet poshtë kontributi njerëzve
Kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala i ka reaguar kërkesave të tri degëve të kësaj partie për dorëheqjen e kryetarit të partisë Lumir Abdixhikut. Ai ka kërkuar maturi dhe jo nxitim, shkruan lajmi.net. “Si kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë, dhe si anëtar i Kryesisë së LDK-së por edhe si nje…
Lajme
Kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala i ka reaguar kërkesave të tri degëve të kësaj partie për dorëheqjen e kryetarit të partisë Lumir Abdixhikut.
Ai ka kërkuar maturi dhe jo nxitim, shkruan lajmi.net.
“Si kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë, dhe si anëtar i Kryesisë së LDK-së por edhe si nje veprimtar i hershëm i LDK-së, i përcjell me shqetësim disa vlerësime të nxituara që po bëhen pas rezultatit të fundit zgjedhor, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku. LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e maturisë politike. Prandaj, nuk është në traditën tonë që të marrim vendime të nxituara nën ndikimin e emocioneve të momentit”, ka shkruar Shala.
Ai ka thënë se duhet të merret parasysh që brenda 16 muajve, Kosova ka kaluar në tri procese zgjedhore nacionale ndërs sot sipas tij vendi ndodhet në krizë institucionale.
Shala ka thënë se në rrethana të tilla, nuk është e udhës të ndërmarrim hapa të tjerë që mund ta thellojnë edhe më shumë paqëndrueshmërinë politike.
“LDK-ja gjithmonë është dalluar për përgjegjësi shtetërore. Shpeshherë ka sakrifikuar edhe rritjen e vet politike për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale dhe stabilitet. Kjo është tradita jonë dhe kjo duhet të mbetet rruga jonë. Natyrisht, në LDK ka figura të rëndësishme që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim, por nuk duhet të zbehet apo të hidhet poshtë nga reagime të vrullshme e të pamenduara mirë. Kosova është e përhershme, ndërsa partitë politike duhet t’i shërbejnë Kosovës. Kjo ka qenë filozofia e LDK-së që nga themelimi i saj dhe kjo duhet të jetë busulla jonë edhe sot. Prandaj, le të shmangim gjykimet e nxituara, të ruajmë unitetin dhe maturinë politike, dhe t’i qasemi çdo vlerësimi me përgjegjësi, dinjitet dhe interes shtetëror”, ka shtuar Shala. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: