Hykmete Bajrami kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut: Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja

Hykmete Bajrami është figura e radhës në LDK që kërkon dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku. Bajrami me anë të një postimi ka thënë se qëndrimi i saj që e kishte dhënë para disa muajsh nuk ka ndryshuar, transmeton lajmi.net. “Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E…

Lajme

24/06/2026 10:03

Hykmete Bajrami është figura e radhës në LDK që kërkon dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku.

Bajrami me anë të një postimi ka thënë se qëndrimi i saj që e kishte dhënë para disa muajsh nuk ka ndryshuar, transmeton lajmi.net.

“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.”, u shpreh ajo në postimin e bërë.

Bajrami tha se LDK ka nevoj për reflektim të sinqertë. Ajo theksoi faktin që në Kuvendin e Janarit 45 për qind e delegatëve ishte pro dorëheqjes së Abdixhikut dhee se ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme.
E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë.
Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.
Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.
Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë.
Qëndrimi im nuk ka ndryshuar.
LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.
LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!
Hykmetja./lajmi.net/