“Në Kosovë ndihesh si në familje”: Turistët zbulojnë “perlën e fshehur” mes maleve të Ballkanit
Tre vjet më parë, kur Mariusz Zaremba dhe miqtë e tij vendosën të niseshin drejt Ballkanit për të përshkuar shtegun malor “Peaks of the Balkans” (shqip: Majat e Ballkanit), pritjet e tyre për Kosovën nuk ishin të mëdha. Për vite me radhë, polaku – që tash jeton në Irlandë – kishte eksploruar Alpet, Dolomitet dhe…
Lajme
Tre vjet më parë, kur Mariusz Zaremba dhe miqtë e tij vendosën të niseshin drejt Ballkanit për të përshkuar shtegun malor “Peaks of the Balkans” (shqip: Majat e Ballkanit), pritjet e tyre për Kosovën nuk ishin të mëdha.
Për vite me radhë, polaku – që tash jeton në Irlandë – kishte eksploruar Alpet, Dolomitet dhe malet e tjera të Evropës Perëndimore. Por, turizmi malor atje nisi t’i dukej gjithnjë e më komercial.
Kur dëgjoi për herë të parë për Ballkanin si destinacion për ecje malore, fillimisht ishte skeptik.
“Ballkani – ish-Jugosllavia – më bënte të mendoja për varfëri, luftë dhe një atmosferë të zymtë sovjetike. Përshtypja ime e parë bazohej në injorancë dhe stereotipa”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në atë kohë, kujton Zaremba, shumë udhërrëfyes dhe artikuj për shtegun rekomandonin që Kosova të anashkalohej. Por, pikërisht këto këshilla shtynë atë dhe miqtë e tij të bëheshin edhe më kureshtarë për ta parë vendin nga afër.
Ata e nisën udhëtimin në Mal të Zi, ku gjetën peizazhe të bukura dhe shtigje relativisht mirë të shënuara, por me pak kontakt me banorët lokalë.
Në Shqipëri, sipas tij, natyra ishte ndoshta më mbresëlënësja përgjatë gjithë shtegut, por, gradualisht, nisi të ndihej prania e turizmit masiv, me vila që po ndërtoheshin përgjatë gjithë shtegut.
“Dhe, më në fund, erdhi Kosova. Male më të buta, më shumë pyje, lule dhe gjelbërim dhe më e rëndësishmja: qetësi dhe paqe totale”, kujton Zaremba.
Por, ajo që e veçoi Kosovën, sipas tij, nuk ishte vetëm natyra.
“Njerëzit ishin miqësorë kudo… Ndiheshim sikur po vizitonim familjarë dhe jo thjesht si turistë”.
Ai thotë se në shumë destinacione të njohura evropiane është ndier thjesht “si një klient tjetër”, ndërsa në Kosovë ka gjetur ngrohtësi të sinqertë dhe mikpritje.
Pikërisht kjo përvojë bëri që ai të kthehej një vit më vonë dhe të planifikojë edhe një tjetër vizitë këtë vit – kësaj radhe vetëm në Kosovë.
“Kosova është një perlë e fshehur”, thotë Zaremba. “Ende relativisht e paprekur dhe jo e prishur nga dora e njeriut”.
Sipas tij, potenciali i Kosovës nuk është shfrytëzuar ende plotësisht.