Kosova vlerësohet për kontributin në Operacionin “Interflex”, pesë kontingjente të FSK-së trajnuan ushtarakët ukrainas

Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar të dëshmojë profesionalizëm dhe përkushtim në kuadër të Operacionit “Interflex”, një mision shumëkombësh i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për trajnimin e forcave ushtarake ukrainase. Sipas një njoftimi të FSK-së, që nga fillimi i vitit 2024, Kosova ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke angazhuar instruktorë…

Lajme

23/06/2026 15:08

Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar të dëshmojë profesionalizëm dhe përkushtim në kuadër të Operacionit “Interflex”, një mision shumëkombësh i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar për trajnimin e forcave ushtarake ukrainase.

Sipas një njoftimi të FSK-së, që nga fillimi i vitit 2024, Kosova ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke angazhuar instruktorë dhe personel të specializuar në përgatitjen e ushtarakëve ukrainas dhe rritjen e kapaciteteve të tyre operacionale.

Kontributi i pjesëtarëve të FSK-së është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një partnere e besueshme në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe në përpjekjet për paqe e stabilitet.

“Përmes këtij angazhimi, FSK ka dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë me forcat partnere dhe aftësi profesionale në mjedise shumëkombëshe”, thuhet në komunikatë.

Përveç pjesëmarrjes në Operacionin “Interflex”, Kosova ka shprehur mbështetjen e saj për Ukrainën edhe përmes pjesëmarrjes në konferenca dhe forume ndërkombëtare për koordinimin e ndihmës, si dhe përmes ofrimit të pajisjeve dhe donacioneve për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Sipas FSK-së, këto veprime pasqyrojnë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe solidaritetit me popullin ukrainas, duke e pozicionuar vendin si një partnere aktive dhe të përgjegjshme në përpjekjet e përbashkëta për siguri dhe stabilitet në Evropë.

Në përmbyllje të misionit në Mbretërinë e Bashkuar, u organizua një ceremoni ku pjesëtarëve të FSK-së iu ndanë çmime dhe mirënjohje për punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre gjatë realizimit të misionit. /Lajmi.net/