YIHR: Serbia mohoi mbi 110 herë krimet e luftës – përfshirë masakrën e Reçakut, Srebrenicën dhe rrethimin e Sarajevës

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Beograd ka identifikuar të paktën 110 raste të mohimit dhe relativizimit të krimeve të luftës gjatë vitit 2025 në Serbi, sipas raportit më të ri vjetor të organizatës. Raporti, i titulluar “Gjendja e mohimit”, evidenton 60 raste të lavdërimit të 10 personave të dënuar…

Lajme

23/06/2026 13:04

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Beograd ka identifikuar të paktën 110 raste të mohimit dhe relativizimit të krimeve të luftës gjatë vitit 2025 në Serbi, sipas raportit më të ri vjetor të organizatës.

Raporti, i titulluar “Gjendja e mohimit”, evidenton 60 raste të lavdërimit të 10 personave të dënuar për krime lufte, si dhe 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të krimeve të kryera gjatë konflikteve të viteve ’90.

Sipas dokumentit, ndër rastet e regjistruara përfshihen mohimi i krimeve në Reçak të Kosovës, mohimi i rrethimit të Sarajevës, i ekzistencës së kampeve në Prijedor, si dhe mohimi i varrezave masive në Batajnicë afër Beogradit, ku ishin fshehur trupat e viktimave nga Kosova.

YIHR vlerëson se gjenocidi në Srebrenicë mbetet krimi që mohohet më së shumti në Serbi. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë dokumentuar të paktën 30 raste të mohimit të këtij gjenocidi.

Në raportin e katërt vjetor të organizatës thuhet se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë Ratko Mlladiqin, nuk kufizohet vetëm te përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, por është i pranishëm edhe në disa media, parti politike, qarqe fetare dhe pjesë të komunitetit akademik.

Autorët e raportit kanë veçuar disa zhvillime të vitit 2025, mes tyre edhe varrimin e gjeneralit të pensionuar të ish-Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, në Rrugicën e Qytetarëve të Merituar në Beograd.

Sipas YIHR-së, fakti që Pavkoviq u varros me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake përbën një precedent të rrezikshëm në raport me përballjen me të kaluarën.

Raporti përmend gjithashtu raste të pengimit të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, kundërshtimin e vendimeve të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe emërimin e disa zyrtarëve publikë, të cilat organizata i konsideron dëshmi të një bllokade institucionale në trajtimin e së kaluarës së luftës.

Drejtoresha e YIHR-së, Sofija Todoroviq, ka deklaruar se mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës janë shndërruar në një prej shtyllave kryesore të politikës në Serbi.

Ajo tha se këto praktika përdoren për nxitjen e urrejtjes dhe si instrument nacionalist për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga çështje të tjera, duke thelluar ndarjet në shoqëri.

Sipas Todoroviqit, zhvillimet e vitit të kaluar dëshmuan se qëllimi i mohimit dhe keqpërdorimit të së kaluarës së luftës është dobësimi i kapaciteteve demokratike të shoqërisë serbe.