Gashani takon Gresa Bakraqin: Figura më e suksesshme e atletikës kosovare
Pas suksesit të arritur së fundmi në arenën ndërkombëtare, Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur në takim atleten e suksesshme kosovare, Gresa Bakraqi, për ta uruar për rezultatet e arritura. Gresa Bakraqi vazhdon të konfirmohet si një nga figurat më të spikatura të atletikës kosovare. Në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim,…
Sport
Pas suksesit të arritur së fundmi në arenën ndërkombëtare, Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur në takim atleten e suksesshme kosovare, Gresa Bakraqi, për ta uruar për rezultatet e arritura.
Gresa Bakraqi vazhdon të konfirmohet si një nga figurat më të spikatura të atletikës kosovare. Në Kampionatin Evropian të Shteteve në Zhvillim, të mbajtur në Monako, ajo fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa në Kampionatin Ballkanik në Volos të Greqisë u stolis me dy medalje të argjendta, duke shënuar një tjetër sukses të madh për sportin e Kosovës.
Në Kampionatin Evropian të Shteteve në zhvillim në Monako, ajo u shpall nënkampione, duke konfirmuar nivelin e saj elitar në atletikë. Në Kampionatin Ballkanik në Volos, ajo fitoi dy herë titullin nënkampione ballkanike dhe vendosi rekord shtetëror në 5000 metra, duke e bërë këtë paraqitje, një nga më të veçantat e saj. Ndërsa në “Challenge Meeting” në Celje, Slloveni, u shpall kampione dhe theu edhe një herë rekordin shtetëror në 1 milje.
Në këtë takim u vlerësuan rezultatet, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme e atletes, e cila me paraqitjen e saj po e prezanton Kosovën me dinjitet në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Kjo është medalja e saj e tetë ballkanike në kategorinë seniore.