Pacolli reagon për bllokimin e Aeroportit të Vlorës: A po jetojmë në republikën e rojeve private?

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke ngritur shqetësime për bllokimin e qasjes në kantier dhe moszbatimin, sipas tij, të vendimeve gjyqësore. Pacolli ka deklaruar se grupet kriminale kanë bllokuar sërish hyrjen në aeroport, ku kompania Mabco Constructions, sipas tij, ka investuar mbi…

Lajme

23/06/2026 10:27

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke ngritur shqetësime për bllokimin e qasjes në kantier dhe moszbatimin, sipas tij, të vendimeve gjyqësore.

Pacolli ka deklaruar se grupet kriminale kanë bllokuar sërish hyrjen në aeroport, ku kompania Mabco Constructions, sipas tij, ka investuar mbi 310 milionë euro.

Në reagimin e tij, ai ka ngritur pyetje nëse pengimi i një aktiviteti të ligjshëm përmes rojeve private, mjeteve të rënda dhe bllokimeve fizike përbën vepër penale.

“A është krim bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi? Nëse po, pse nuk po vepron askush?”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka kritikuar mungesën e reagimit institucional, duke thënë se një situatë e tillë cenon autoritetin e shtetit ligjor.

“Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?”, është shprehur ai.

Pacolli ka theksuar se çështja, sipas tij, nuk është më vetëm një konflikt biznesi, por lidhet me zbatimin e ligjit dhe autoritetin e institucioneve.

“Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi. Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor”, ka shkruar ai.

Ai ka përmendur se prej muajsh kompania Mabco po përballet me pengesa, duke përfshirë, sipas tij, bllokime, dëmtime të pronës dhe pengim të punimeve.

Në fund të reagimit, Pacolli ka kërkuar përgjigje nga institucionet, duke pyetur nëse në Shqipëri zbatohen ligjet, vendimet e gjykatave dhe institucionet shtetërore apo vendimet imponohen nga rojet private. /Lajmi.net/