Kërkesat e protestuesve në Shqipëri, Rama reagon me akuza: E lexoi zëdhënësi i interesave të Iranit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka postuar momentin kur Dritan Goxhaj lexoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kërkesat e protestuesve drejtuar qeverisë së tij. Rama i qëndron narrativës se protesta është e nxitur nga shërbimet e Iranit. Përmes një videoje ku shfaqen postime të Goxhajt me pikëpamje pro Iranit, Rama shkruan: “Si thoshin derrat e knaqun…
Lajme
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka postuar momentin kur Dritan Goxhaj lexoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kërkesat e protestuesve drejtuar qeverisë së tij.
Rama i qëndron narrativës se protesta është e nxitur nga shërbimet e Iranit.
Përmes një videoje ku shfaqen postime të Goxhajt me pikëpamje pro Iranit, Rama shkruan:
“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë…. Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkruan Rama në Facebook.
Të hënën, grupi koordinues i protestës që po zhvillohet në Tiranë ka bërë publike një listë të detajuar kërkesash drejtuar qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime të thella kushtetuese.
Në deklaratën e lexuar në emër të organizatorëve, theksohet se kërkesa kryesore është “dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe qeverisë”, e shoqëruar me ngritjen e një qeverie tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Sipas tyre, paketa e kërkesave përfshin edhe ndryshime kushtetuese për barazi të shtetasve para ligjit, si dhe miratimin e tyre përmes referendumit popullor. Ndër propozimet përfshihet edhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës së një individi.
Organizatorët kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin ose anulimin e një sërë nismash ligjore, përfshirë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, paketën e njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike.
Në kërkesat e tyre përfshihet edhe ideja për një “kontratë të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas tyre duhet të hartohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të propozuar nga vetë protesta.
Organizatorët theksojnë se kërkesat janë “legjitime dhe të panegociueshme”, duke deklaruar se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore deri në përmbushjen e tyre.
Protesta, sipas pjesëmarrësve, përfaqëson një lëvizje më të gjerë qytetare që kërkon ndryshim politik dhe institucional në vend.
Disa prej protestuesve kanë ngritur shqetësime për situatën ekonomike dhe sociale, duke përmendur rroga të ulëta dhe çmime të larta, ndërsa kanë akuzuar qeverinë për një “agjendë shpopulluese”.
Tubimi vjen në vijim të disa javëve protestash të njëpasnjëshme, ku është artikuluar vazhdimisht kërkesa për ndryshim të qeverisjes dhe dorëheqje të kryeministrit.
Kërkesat e grupit koordinues të protestës u lexuan nga Dritan Goxhaj.
Grupi Koordinues i Protestës
Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
- Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.4. Paralelisht, kërkojmë:
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.