“Ende asnjë gjurmë”, vazhdojnë kërkimet për 5-vjeçarin kosovar të zhdukur në një lumë në Zvicër

Autoritetet zvicerane po vazhdojnë përpjekjet intensive për gjetjen e 5-vjeçarit kosovar, Tiani Rahimi, i cili u zhduk pas një aksidenti me gomone në lumin Reuss, pranë Mühlau-t në kantonin e Aargaut. Edhe pas disa ditësh kërkime, fati i vogëlushit mbetet ende i panjohur. Policia e Kantonit të Aargaut ka konfirmuar për Klankosova.tv se operacionet e…

Lajme

22/06/2026 19:01

Autoritetet zvicerane po vazhdojnë përpjekjet intensive për gjetjen e 5-vjeçarit kosovar, Tiani Rahimi, i cili u zhduk pas një aksidenti me gomone në lumin Reuss, pranë Mühlau-t në kantonin e Aargaut. Edhe pas disa ditësh kërkime, fati i vogëlushit mbetet ende i panjohur.

Policia e Kantonit të Aargaut ka konfirmuar për Klankosova.tv se operacionet e kërkimit janë zhvilluar pa ndërprerje që nga momenti i aksidentit, por deri më tani nuk ka pasur rezultate.

“Pas aksidentit, menjëherë janë ndërmarrë masa të ndryshme kërkimi. Si dje ashtu edhe sot, segmenti i prekur i lumit është kontrolluar disa herë. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi arritur ta gjejmë djalin. Nesër, të martën, operacionet e kërkimit do të vazhdojnë”, ka deklaruar Dominic Zimmerli, shef i komunikimit të Policisë së Aargaut.

Sipas autoriteteve, ende nuk është bërë e mundur të përcaktohet një vendndodhje më e saktë e fëmijës. Kërkimet po zhvillohen përgjatë gjithë segmentit të lumit, duke përfshirë edhe zonën e njohur si Flachsee, ndërmjet hidrocentralit të Bremgartenit dhe vendit ku ndodhi aksidenti.

“Kërkimet po vazhdojnë në të gjithë segmentin e lumit, përfshirë edhe zonën e liqenit të cekët (Flachsee), ndërmjet hidrocentralit të Bremgartenit dhe vendit ku ka ndodhur aksidenti”, theksoi Zimmerli.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me rrethanat e aksidentit, ndërsa ka bërë të ditur se deri tani nuk ka ndonjë zhvillim të ri as në hetime dhe as në operacionin e kërkimit.

“Deri më tani nuk kemi arritur ta përcaktojmë vendndodhjen e tij më saktë. Ne jemi ende duke kërkuar në të gjithë pjesën e lumit, përfshirë liqenin e cekët, midis hidrocentralit Bremgarten dhe vendit të aksidentit. Deri më tani nuk ka gjetje të reja në lidhje me aksidentin ose operacionin e kërkimit në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Aargaut.