​Ligjet e vjetra dhe mungesa e databazës pengojnë hetimin e krimeve të luftës në Kosovë

Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, korniza e papërshtatshme ligjore, vështirësitë në mbledhjen e provave dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve profesionale për gjykimin në mungesë, vazhdojnë të mbeten ndër sfidat kryesore në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Kështu u tha në panelin e diskutimit “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe…

Lajme

22/06/2026 11:07

Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, korniza e papërshtatshme ligjore, vështirësitë në mbledhjen e provave dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve profesionale për gjykimin në mungesë, vazhdojnë të mbeten ndër sfidat kryesore në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kështu u tha në panelin e diskutimit “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se proceset për krimet e luftës vazhdojnë të jenë ndër sfidat më komplekse të sistemit të drejtësisë.

“Në Kosovë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme dhe komplekse të sistemit të drejtësisë. Përtej rëndësisë juridike këto procese kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e drejtësisë të viktimave të luftës, luftimin e mosndëshkimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve ne institucione e drejtësisë. Gjatë viteve të fundit kemi parë zhvillime të rëndësishme në këtë fushë, përfshirë rritjen e numrit të aktakuzave për krimet e luftës dhe zbatimin e gjykimeve në mungesë”, tha Alija.

Udhëheqësi i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, tha se institucionet kanë treguar gatishmëri për trajtimin e rasteve, por sfidat shkojnë përtej vullnetit institucional.

Sfidë për prokurorinë mbeten ligjet e vjetra të ish-Jugosllavisë dhe mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare, në theks të veçantë me Serbinë.

Morina theksoi se mungesa e një data baze për mbledhjen e provave, po e vështirëson për prokurorinë speciale grumbullimin e tyre.

“Mungesa e vullnetit nuk është, ka një gatishmëri për punë në aderimin e krimeve të luftës, sfidat janë përtej vullnetit. Ne kemi bërë maksimumin brenda kapaciteteve dhe mundësive, çoftë buxhetore, institucionale… Korniza ligjore aktuale nuk është e mjaftueshme, një kornizë ligjore e cila është e përshtatshme për krim të organizuar. Ne këtë sfidë e kemi ende sepse po punojmë me ligje të vjetra, çoftë ai i ish Jugosllavisë, kodi i procedurës i cili nuk është mjaftueshëm i përshtatshëm në rastet e krimeve të luftës. Struktura institucionale, kur e kemi pranuar këtë çështje nga EULEX-i, është dashur t’i ndërtojmë mekanizmat e brendshëm, në mënyrë që të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat.. sfidë shumë e madhe mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare, në theks të veçantë me Serbinë por edhe me vende të tjera, ish gjykatën penale e Jugosllavisë. Te gjitha provat gjenden ne serbi apo jashtë territorit të Kosovës, por edhe të pandehurit. Mungesa e këtij bashkëpunimi është një sfidë e madhe. Tani kemi një mundësi të paraqesim aktakuza në mungesë, gjykimi në mungesë nuk është për herë të parë. Është zgjidhja më e mire dhe po mundohemi me apliku. Në kuadër të kësaj, është mungesa e një data baze të veçantë të rasteve të krimeve të luftës, identifikimi i provave është një sfidë e madhe, shume informacione ekzistojnë por janë të shpërndara. Frika që nuk ka informacion nuk ekziston, por ato duhet mbledhur dhe vendosur ne një vend në shërbim të prokurorisë speciale”, tha Morina.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, tha se sfidë për ta është gjykimi në mungesë, për të cilin shumica e avokatëve nuk po e pranojnë ani pse është detyrë zyrtare.

“Po e shohim se është përforcuar, janë shumëfishuar edhe aktakuzat, ndonëse është e vështirë për prokurorinë për të mbledhur provat, pasi kanë kaluar shume vite pas luftës. Nevojitet për ta argumentuar secilindo krim. Kemi persona që kërkojnë drejtësi, ndonëse prokuroria na ka kundërshtarë në aspektin profesional, por në këtë rast oda e avokatëve dhe prokuroria kemi sfida me angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare në gjykimin në mungesë. Gjykimi në mungesë është institut i ri tek ne, akoma ka nevojë për përgatitje, trajnime, aplikimin e këtij instituti me profesionalizëm të lartë.. ne jemi munduar që t’i bindim përveç detyrimit është ndihmesë në drejtësi. Na mungojnë trajnimet sidomos nga ekspertë ndërkombëtarë të kësaj fushe, ka vështirësi të aplikimit të gjykimit në mungesë”, tha Rudari.