​Protesta për Zvërnecin në ditën e 22-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë

Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 22-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi. Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke shqiptuar…

Lajme

21/06/2026 20:19

Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 22-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi.

Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke shqiptuar parulla kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe shqiptarë nga diaspora.

Sipas raportimeve të gazetares së RTSH-së, një pjesë e protestuesve ka qëndruar gjatë natës pranë godinës së Kryeministrisë, ndërsa numri i tyre ka qenë i kufizuar. Policia u ka kërkuar të largohen nga rruga për të mos penguar qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që protestuesit janë rigrupuar sërish në Sheshin “Skënderbej” për të vijuar marshimin.

“Ka vijuar gjatë të gjithë ditës nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh të cilët nga protesta e rëndësishme vendosën që ta gdhijnë ditën përpara godinës së kryeministrisë dhe të qëndrojnë gjatë të gjithë kohës aty. Numri i tyre ka qenë relativisht i vogël por kjo ka bërë që policia ti kërkoj që të largohen nga rruga pasi pengohej qarkullimi i automjeteve. Aktualisht protestuesit janë duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” dhe më pas vijon marshimi drejt kryeministrisë”, u shpreh gazetarja.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve në shesh, lëvizja qytetare tashmë është strukturuar rreth pesë pikave të panegociueshme drejtuar autoriteteve:

Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Krijimi i një Qeverie Teknike.

Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike.

Anulimi i plotë i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.