Zv.kryeministrja për heqjen e flamurit izraelit nga protestuesit: Akt i papranueshëm, Shqipëria është vend mikpritës

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon momentin kur disa protestues heqin flamurin e vendosur në ambientet e Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së mbrëmshme. Pamjet kanë nxitur reagime të forta, ndërsa autorët e veprimit shfaqen mes thirrjeve dhe duartrokitjeve të një pjese të të pranishmëve. Pas incidentit ka reaguar Ministria për…

Lajme

21/06/2026 13:41

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon momentin kur disa protestues heqin flamurin e vendosur në ambientet e Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së mbrëmshme. Pamjet kanë nxitur reagime të forta, ndërsa autorët e veprimit shfaqen mes thirrjeve dhe duartrokitjeve të një pjese të të pranishmëve.

Pas incidentit ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila dënoi ashpër heqjen dhe përdhosjen e flamurit, duke e cilësuar atë një akt të papranueshëm që nuk ka lidhje me lirinë e shprehjes apo protestën paqësore. MEPJ shprehu solidaritet me Ambasadën e Izraelit dhe theksoi se veprime të tilla bien ndesh me vlerat demokratike dhe traditën e bashkëjetesës së Shqipërisë.

Ndërsa, Albana Koçiu, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, ka deklaruar se “heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.

Tutje, në reagimin e saj Koçiu ka shkruar:

Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë.

Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.